PROTESTA PËR ARLINDA ZEKAJN VAZHDON SOT NË PRISHTINË
Marshim drejt Qeverisë dhe Këshillit Prokurorial në kërkim të drejtësisë dhe llogaridhënies.
Prishtinë – Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka thirrur protestë kombëtare edhe për sot, të shtunën më 31.10.2026, në kërkim të drejtësisë për Arlinda Zekajn dhe të gjitha gratë e vrara nga dhuna në familje.
Protesta do të nisë në orën 17:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Nga atje protestuesit do të marshojnë drejt Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës. Kolektivi ka paralajmëruar se protestat dhe bllokadat do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave.
Protestat nisën 4 ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt më 25.10.2026 në Vitomiricë të Pejës. Ajo dyshohet se u vra me sëpatë nga ish-kunati i saj, Albert Sylaj, pak pasi kishte raportuar dhunë në familje në polici. Vrasja ndodhi në prani të fëmijëve të mitur.

Si pasojë e rastit, janë suspenduar 11 zyrtarë policorë dhe kryeprokurorja e Pejës, Lumturije Vuçetaj. Protestuesit po kërkojnë edhe dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Më 30.10 dha dorëheqje edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha.
