DORËHEQJE NË KRYE TË RTS-SË – MANJA GRÇIQ LË DREJTIMIN E TELEVIZIONIT SHTETËROR SERB
Manja Grçiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtoreshës së Përgjithshme të Radio-Televizionit të Serbisë – RTS.
Lajmin e ka konfirmuar Telegraf, sipas të cilit dorëheqja u dorëzua sot rreth orës 17:30, pas vlerësimit të situatës aktuale në të cilën ndodhet servisi publik.
Në letrën e dorëheqjes, Grçiq ka theksuar se prioriteti më i madh për institucionin është vazhdimësia e pandërprerë e punës.

“Do të ofroj gjithë ndihmën time që procesi i dorëzim-pranimit të zhvillohet në mënyrë të rregullt” – thuhet në deklaratën e saj.
Ajo ka kërkuar nga Këshilli Drejtues që brenda kompetencave ligjore të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar vazhdimësinë e menaxhimit dhe për të përmbyllur dorëzim-pranimin në përputhje me ligjin.

Presioni nga punonjësit dhe studentët
Vendimi i Grçiqit vjen pasi një pjesë e punonjësve të RTS-së dhe kandidatët e listës studentore kishin kërkuar largimin e saj.
Në mesin e kërkesave ishin edhe dorëheqjet e anëtarëve të tjerë të menaxhmentit dhe të kryeredaktorit të Programit Informativ.
Studentët prej vitesh kanë akuzuar RTS-në se nuk raporton në mënyrë objektive dhe të paanshme, por i shërben pushtetit të Aleksandar Vuçiqit.
Sipas tyre, servisi publik e minimizon rëndësinë e protestave studentore, hesht informacione të rëndësishme dhe nuk u jep hapësirë kritikëve të qeverisë.
Ata kërkojnë një RTS të pavarur, që qytetarëve t’u ofrojë informata të vërteta, të plota dhe në kohë, e jo që t’u shërbejë interesave të partisë në pushtet.

Kush është Manja Grçiq?
Grçiq u emërua Drejtoreshë e RTS-së më 11 shkurt 2026 nga Këshilli Drejtues, me mandat 5-vjeçar.
Detyrën e mori më 25 shkurt 2026 dhe u bë gruaja e parë në krye të servisimit publik serb.
Gjatë karrierës ka punuar në BBC, B92, TV Pink dhe TV3 Slloveni.
Ka qenë gjithashtu drejtoreshë e kompanisë Media System, drejtoreshë e përgjithshme e agjencisë Tanjug, si dhe ka drejtuar biznesin e Antenna Group në Serbi dhe Mal të Zi, ku bëjnë pjesë edhe televizionet Prva dhe O2 TV.
Është diplomuar për gazetari në Universitetin e Leeds në Britani dhe ka mbi 20 vjet përvojë në industrinë mediale.
