Abdixhiku kujton Ukë Bytyçin në 24-vjetorin e vrasjes së tij
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore me rastin e 24-vjetorit të vrasjes së veprimtarit të kësaj partie dhe ish-kryetarit të Komunës së Suharekës, Ukë Bytyçi.
Bytyçi u vra më 27 tetor 2002, në ditën kur LDK-ja festonte fitoren në Suharekë. Në këtë ngjarje u vranë edhe Bafti Bajrami dhe Bajram Bytyçi, duke e kthyer ditën e festës në tragjedi për familjet e viktimave, Suharekën dhe LDK-në.

Përmes një postimi, Abdixhiku e ka kujtuar Ukë Bytyçin si bashkëpunëtor të presidentit historik Ibrahim Rugova, themelues të LDK-së në Suharekë dhe veprimtar që, sipas tij, i shërbeu Kosovës në periudhat më të vështira.

“Qytetarët i dhanë besimin. Vrasësit ia morën jetën”, ka shkruar Abdixhiku, duke theksuar se Bytyçi e kishte fituar besimin e qytetarëve me punë dhe përkushtim.

Kreu i LDK-së ka thënë se emri i Ukë Bytyçit mbetet përgjegjësi për partinë, duke ritheksuar se kontributi dhe sakrifica e tij nuk duhet të harrohen.
“Nuk e harrojmë. E kujtojmë, me krenari!”, ka përfunduar Abdixhiku mesazhin e tij përkujtimor.

