UKZ nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me ProCoders Center
Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me ProCoders Center, në kuadër të Fakultetit të Shkencave Sociale, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë, teknologjisë, inovacionit dhe zhvillimit të aftësive profesionale të studentëve.
Marrëveshja synon krijimin e një partneriteti të qëndrueshëm ndërmjet universitetit dhe sektorit profesional të teknologjisë, duke kontribuar në modernizimin e procesit mësimor, zhvillimin e kompetencave praktike dhe rritjen e punësueshmërisë së studentëve, veçanërisht të atyre të programit Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, studentët do të kenë mundësi të përfitojnë nga trajnime profesionale në teknologji informative, programim, dizajn dhe menaxhim të platformave digjitale, mentorim në projekte praktike, si dhe praktikë profesionale në fusha që lidhen me komunikimin publik, diplomacinë digjitale dhe zhvillimin institucional.


Po ashtu, marrëveshja parasheh realizimin e projekteve të përbashkëta që promovojnë inovacionin, transformimin digjital dhe bashkëpunimin ndërmjet universitetit dhe industrisë, duke integruar teknologjinë në proceset mësimore dhe kërkimore.

Marrëveshja është nënshkruar nga Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, dhe Drejtori i ProCoders Center, z. Ramiz Kastrati.

Përmes kësaj marrëveshje synohet fuqizimit i lidhjes ndërmjet arsimit universitar dhe tregut të punës, duke u ofruar studentëve mundësi të reja për zhvillim akademik dhe profesional.
