Spanja mposht Belgjikën 2:1 dhe siguron gjysmëfinalen e Kupës së Botës
LOS ANGELES – Spanja vazhdoi rrugëtimin e saj drejt titullit të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Belgjikën me rezultat 2:1 në çerekfinale, duke siguruar një vend në gjysmëfinale, ku do të përballet me Francën.
Skuadra e Luis de la Fuente dominoi pjesën më të madhe të takimit dhe kaloi në epërsi në minutën e 30-të. Portieri belg Thibaut Courtois priti fillimisht një goditje të Dani Olmos, por topi u kthye te Fabián Ruiz, i cili nuk gaboi dhe e dërgoi në rrjetë për 1:0.
Belgjika reagoi para përfundimit të pjesës së parë. Në minutën e 41-të, Charles De Ketelaere realizoi me kokë pas një krosimi të Timothy Castagne, duke barazuar rezultatin në 1:1 dhe duke i dhënë fund serisë mbresëlënëse të Spanjës pa pësuar gol në këtë Botëror.

Në pjesën e dytë loja u bë më e luftuar, me raste në të dyja anët. Një moment kyç ndodhi në minutën e 65-të, kur portieri belg Thibaut Courtois u detyrua të largohej për shkak të një dëmtimi. Në vend të tij hyri Senne Lammens, i cili u gjend nën presion të vazhdueshëm nga sulmi spanjoll.
Kur ndeshja po shkonte drejt kohës shtesë, Mikel Merino u shfaq edhe një herë si heroi i Spanjës. Në minutën e 88-të ai përfitoi nga një top i kthyer në zonë dhe shënoi golin vendimtar për 2:1, duke vulosur kualifikimin e “La Rojës” në katërshen më të mirë të turneut. Për Merinon ishte goli i dytë vendimtar radhazi, pasi edhe në raundin e kaluar kishte eliminuar Portugalinë me një gol në minutat shtesë.
Trajneri Luis de la Fuente kishte paralajmëruar para takimit se Belgjika do të ishte testi më i vështirë i Spanjës deri tani në turne, duke vlerësuar përvojën dhe cilësinë e kundërshtarit. Pas triumfit, Spanja konfirmoi statusin e një prej favoritëve kryesorë për trofeun dhe tani do të përballet me Francën në gjysmëfinale, pasi francezët eliminuan Marokun me rezultat 2:0.
