Penalltitë vendosin gjithçka: Maroku eliminoi Holandën dhe bën histori
Holanda dhe Maroku kanë dhuruar një përballje spektakolare në fazën e 1/16 së finales së Kupës së Botës 2026, me fituesin nuk është përcaktuar pas 90 minutave lojë.
Pjesa e parë u karakterizua nga lojë e kujdesshme dhe ritëm i lartë, me të dyja kombëtaret që krijuan raste, por pa arritur të tundin rrjetën. Maroku ishte më kërkues në posedim, ndërsa Holanda u mbështet te kundërsulmet dhe organizimi në mbrojtje. Portierët Bart Verbruggen dhe Yassine Bounou u treguan vendimtarë në disa raste, duke mbajtur të paprekura portat.
Në pjesën e dytë, Holanda arriti të zhbllokojë rezultatin në minutën e 72-të, kur Cody Gakpo finalizoi me qetësi një aksion të shpejtë, duke i dhënë epërsinë “Tulipanëve”. Goli u festua me shumë emocione nga sulmuesi holandez, i cili ia dedikoi atë familjes së tij pas një tragjedie personale të ndodhur ditët e fundit.

Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt një fitoreje të Holandës, Maroku reagoi në çastet vendimtare. Në minutën e parë shtesë, mbrojtësi Issa Diop u gjend më së miri në zonë dhe me një goditje të fuqishme me kokë barazoi shifrat në 1-1, duke heshtur tifozët holandezë dhe duke rikthyer në lojë kombëtaren afrikane.

Pas 90 minutave të rregullta, rezultati ishte 1-1, duke bërë që fituesi të mos përcaktohej brenda kohës së zakonshme. As dy pjesët e vazhdimeve nga 15 minuta nuk sollën ndryshim të rezultatit, pasi të dyja skuadrat luftuan fort, por nuk arritën ta gjenin golin e fitores.
Bileta për në fazën e 1/8 së finales u vendos nga seria dramatike e penalltive. Aty më të saktë u treguan futbollistët e Marokut, të cilët triumfuan me rezultat 3-2, duke eliminuar Holandën dhe duke siguruar një kualifikim historik. Marokenët ruajtën qetësinë në momentet vendimtare, ndërsa gabimet e holandezëve nga pika e bardhë rezultuan fatale për “Tulipanët”.
