NPL “Tregu” inspekton hapësirat publike në fshatra dhe zonat përreth liqeneve
Ekipi i NPL “Tregu” Sh.A., i përbërë nga Koordinatori i Departamentit të Hapësirave Publike dhe Zyrtari për Logjistikë, ka zhvilluar një inspektim në terren në fshatrat dhe hapësirat publike që janë nën mirëmbajtjen e ndërmarrjes.
Gjatë kësaj vizite janë inspektuar fshatrat Perlepnicë, Malishevë, Llashticë, Zhegër, Haxhaj, Demiraj, Pidiq dhe Cërnicë, si dhe zonat përreth Liqenit të Perlepnicës dhe Liqenit të Livoqit.

Sipas njoftimit, gjatë vëzhgimeve në terren është konstatuar se punëtorët e angazhuar kanë qenë në krye të detyrës, duke kryer obligimet e tyre me përkushtim dhe përgjegjësi.
Po ashtu, gjendja e përgjithshme e hapësirave publike është vlerësuar e mirë dhe e kënaqshme, çka dëshmon për angazhimin e vazhdueshëm në mirëmbajtjen dhe rregullimin e tyre.

Nga NPL “Tregu” Sh.A. theksohet se përkushtimi për ruajtjen e pastërtisë dhe përmirësimin e mjedisit publik do të vazhdojë edhe në të ardhmen, në shërbim të qytetarëve dhe komunitetit lokal.
