Barazhi vendimtar në Drenas: Llapi kërkon mbijetesën, Dinamo synon historinë
Sezoni 2025/26 në futbollin kosovar mbyllet sot me ndeshjen e barazhit që do të përcaktojë ekipin e fundit pjesëmarrës në Superligën e Kosovës për edicionin e ardhshëm.
Në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, me fillim nga ora 16:00, do të përballen Llapi dhe Dinamo e Ferizajt në një duel me peshë të madhe për të dy skuadrat.
Llapi vjen në këtë ndeshje pasi e përfundoi kampionatin në vendin e tetë të Superligës me 49 pikë dhe tash synon të sigurojë vazhdimësinë në elitën e futbollit kosovar.
Në anën tjetër, Dinamo e Ferizajt është vetëm një hap larg realizimit të ëndrrës për debutim në Superligë. Ferizajasit e mbyllën sezonin në pozitën e katërt të Ligës së Parë me 71 pikë dhe siguruan finalen e barazhit pasi mposhtën Lirinë me rezultat 2:0.
Fituesi i këtij takimi do të jetë pjesë e Superligës së Kosovës në sezonin e ardhshëm, ndërsa humbësi do të mbetet jashtë elitës së futbollit kosovar.
