Ylli i ri gjilanas i Bayern Munich, Erblin Osmani, frymëzon gjeneratat e reja në Kinderligë
Ylli i ri gjilanas, Erblin Osmani, frymëzon gjeneratat e reja në Kinderligë
Futbollisti i ri nga Gjilani, Erblin Osmani, po shijon pushimet verore në vendlindje pas një sezoni të suksesshëm me ekipin e parë të Bayern Munichut, ku bëri hapat e parë në elitën e futbollit gjerman.
Gjatë qëndrimit në Gjilan, 17-vjeçari vizitoi aktivitetet e Kinderligës, garë që po organizohet nga Lidhja Rajonale e Futbollit, duke tërhequr vëmendjen e shumë fëmijëve dhe prindërve të pranishëm.

I rrethuar nga talentë të rinj të futbollit, Osmani ndau momente të veçanta me pjesëmarrësit, realizoi fotografi dhe bisedoi me ta, duke u bërë një shembull motivues për brezin e ri që ëndërron të ndjekë rrugën drejt futbollit profesionist.

Paraqitjet e tij me kampionët e Gjermanisë kanë bërë që emri i gjilanasit të përmendet gjithnjë e më shumë si një nga talentet më premtuese shqiptare në arenën ndërkombëtare, ndërsa e ardhmja e tij pritet me interes të madh edhe nga tifozët kosovarë.
