Policia e Gjilanit dhe Shkolla e Arteve “Adem Kastrati” bashkë në projektin “Errësia – Drita” kundër narkotikëve
Nxënësit përcjellin mesazhe kundër drogës përmes artit – tre punimet më të mira shpërblehen
Gjilan, 22 maj 2026 – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, në bashkëpunim me Shkollën e Mesme të Arteve Pamore “Adem Kastrati”, ka realizuar projektin vetëdijesues “Errësia – Drita”, me qëllim të ngritjes së vetëdijes së të rinjve për rreziqet e përdorimit të narkotikëve.


Aktiviteti u organizua nga Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Parandalim, së bashku me drejtorinë, stafin arsimor dhe nxënësit e shkollës. Fokusi ishte promovimi i mendimit kritik dhe zgjedhjeve të shëndetshme përmes artit.
Në fjalën e tyre para të pranishmëve, Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Kolonel Agron Rukiqi, Drejtori i Policisë në Bashkësi dhe Parandalim, Major Ramadan Ahmeti, dhe drejtori i shkollës, Roland Masurica, theksuan rëndësinë e parandalimit të përdorimit të substancave narkotike, veçanërisht tek të rinjtë. Ata folën për pasojat që këto substanca kanë për shëndetin dhe shoqërinë.


Nxënësit prezantuan punime artistike përmes të cilave pasqyruan në mënyrë kreative pasojat dhe rreziqet e drogës, duke përcjellë mesazhe të qarta për parandalimin e kësaj dukurie.
Tri nga punimet më të vlerësuara u shpërblyen me mirënjohje dhe dhurata simbolike nga Policia e Kosovës.


Në përmbyllje u vlerësua rëndësia e bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe institucioneve arsimore në parandalimin e dukurive negative që ndikojnë te të rinjtë, si dhe angazhimi dhe kreativiteti i nxënësve në sensibilizimin e opinionit kundër përdorimit të narkotikëve.
