“Errësira – Drita”: Policia e Gjilanit dhe Shkolla e Arteve “Adem Kastrati” bashkë kundër narkotikëve
Përmes artit, nxënësit përcjellin mesazhe të forta për parandalimin e përdorimit të drogave
Gjilan, 22 maj 2026 – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, në bashkëpunim me Shkollën e Mesme të Arteve Pamore “Adem Kastrati”, ka realizuar projektin vetëdijesues “Errësia – Drita”, me qëllim të ngritjes së vetëdijes tek të rinjtë për rreziqet e përdorimit të substancave narkotike.

Projekti u organizua nga Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Parandalim, së bashku me drejtorinë, stafin arsimor dhe nxënësit e shkollës. Qëllimi ishte promovimi i mendimit kritik dhe zgjedhjeve të shëndetshme përmes artit.

Në aktivitet morën pjesë dhe mbajtën fjalë rasti Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Kolonel Agron Rukiqi, Drejtori i Policisë në Bashkësi dhe Parandalim, Major Ramadan Ahmeti, si dhe drejtori i shkollës, z. Roland Masurica. Ata theksuan rëndësinë e parandalimit të përdorimit të narkotikëve, duke folur për pasojat që këto substanca sjellin për shëndetin dhe shoqërinë.

Nxënësit prezantuan punime artistike përmes të cilave paraqitën në mënyrë kreative pasojat dhe rreziqet e drogave, duke përcjellë mesazhe të qarta për parandalimin e kësaj dukurie.
Tri nga punimet më të mira u shpërblyen me mirënjohje dhe dhurata simbolike nga Policia e Kosovës.

Në përmbyllje u vlerësua bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës dhe institucioneve arsimore, si dhe angazhimi dhe kreativiteti i nxënësve në sensibilizimin e opinionit kundër përdorimit të substancave narkotike.
