Studentët dhe stafi i UKZ-së po zhvillojnë vizitë studimore në Strasburg të Francës
Një grup prej 15 studentësh të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, së bashku me disa profesorë, kanë nisur një vizitë studimore njëjavore në Strasburg të Francës, një nga qendrat më të rëndësishme politike dhe institucionale të Evropës.
Kjo vizitë paraqet një hap të rëndësishëm në fuqizimin e dimensionit praktik dhe ndërkombëtar të universitetit, duke afruar studentët me institucionet dhe proceset vendimmarrëse evropiane.

Delegacioni i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, i përbërë nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, Dekanja e Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Fatmire Krasniqi, si dhe profesorë të tjerë të UKZ-së së bashku me studentët, gjatë ditës së parë të vizitës realizuan takime me rëndësi të veçantë akademike dhe institucionale.
Fillimisht, delegacioni vizitoi Parlamentin Evropian në Strasburg, ku studentët dhe stafi akademik patën mundësinë të takohen dhe të bashkëbisedojnë me eurodeputetë dhe përfaqësues të institucioneve evropiane, përfshirë eurodeputetin austriak Lukas Mandl, njëherësh Doctor Honoris Causa i UKZ-së. Gjatë kësaj vizite, studentët u njohën nga afër me funksionimin e Parlamentit Evropian, proceset vendimmarrëse, organizimin institucional dhe rolin e këtij institucioni në zhvillimet politike dhe demokratike të Evropës.

Një moment i veçantë i kësaj vizite ishte pjesëmarrja në promovimin e librit më të ri të ish-kancelarit të Austrisë, Wolfgang Schussel, i organizuar në ambientet e Parlamentit Evropian. Në librin e tij, Schussel trajton vizionin dhe sfidat e së ardhmes së Evropës. Studentët dhe profesorët patën mundësinë të zhvillojnë diskutime të drejtpërdrejta me ish-kancelarin austriak, duke shkëmbyer mendime mbi zhvillimet aktuale në Bashkimin Evropian, raportet me Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
Në kuadër të vizitës studimore, grupi zhvilloi gjithashtu një takim në Qendrën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, një organizatë e njohur për angazhimin në promovimin e të drejtave të njeriut, edukimit qytetar dhe fuqizimin e të rinjve në nivel evropian. Delegacioni i UKZ-së u prit nga z. Isuf Halimi, Drejtor Ekzekutiv i organizatës, me të cilin u diskutuan sfidat aktuale me të cilat po përballet Evropa dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në aspektin e demokracisë, integrimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Gjatë takimit u shpreh gatishmëria për bashkëpunime të ardhshme akademike dhe projekte të përbashkëta.

Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, vlerësoi se kjo vizitë studimore përbën një nga nismat më domethënëse në drejtim të ndërkombëtarizimit dhe krijimit të mundësive konkrete për studentët. Ai falënderoi Rektorin e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme në realizimin e kësaj vizite.
Një falënderim i veçantë iu drejtua edhe eurodeputetit austriak Lukas Mandl, i cili përmes stafit të tij mundësoi dhe organizoi në mënyrë profesionale realizimin e vizitës studimore në Strasburg, duke krijuar mundësi që studentët dhe stafi akademik i UKZ-së të zhvillojnë takime dhe aktivitete në institucione të rëndësishme evropiane.

Po ashtu, falënderime të sinqerta iu shprehën edhe donatorëve dhe mbështetësve që kontribuuan në realizimin e këtij projekti studimor, veçanërisht kompanisë Cure Medica, e cila mbuloi pjesën më të madhe të shpenzimeve të udhëtimit dhe qëndrimit në Francë. Kontribut të çmuar dhanë edhe donatorët e tjerë: Interex SHPK, Trocal Interplast, FC Drita, Vali Ranch Resort, Hector Kuzhina, Globi M.I., Linda Group, Bujana Restaurant, Toska Electronics, 3E Group, Duo Market, Abetarja, Mobicasa, ASK Foods, Ceni Company, Melsia Meat, Drita Security, Bebe Omi, Premium Meat dhe Luli 93, të cilët mbështetën mbulimin e shpenzimeve të studentëve gjatë kësaj eksperience akademike.
Ky projekt paraqet një dëshmi të qartë të orientimit të universitetit drejt ndërkombëtarizimit, avancimit të praktikave akademike dhe krijimit të përvojave transformuese për studentët.
Vizita studimore do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me aktivitete dhe takime të tjera në institucione të rëndësishme evropiane dhe akademike në Strasburg.
