Haziri: LDK e bashkuar rikthen besën dhe shpresën në Gjilan
Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan po mobilizohet për zgjedhjet e ardhshme, ka deklaruar kryetari i degës, Lutfi Haziri, pas takimit të tretë të Shtabit të Madh të LDK-së – raporton TV Gjilani.
“Po punojmë për një LDK të bashkuar, e cila do të rikthejë garën politike për rikthimin e besës dhe shpresës në vendin tonë, sepse Republika është atdheu ynë i përbashkët”, ka shkruar Haziri.
Ai u ka bërë thirrje rugovistëve, të djathtëve dhe besimtarëve të Republikës kudo që janë, që të bashkohen për t’ia hequr vendit “atributet më të këqija që ia sollën këto gjashtë vitet e fundit”.
“Këtë udhë do ta bëjmë bashkë me rininë, gratë dhe bashkatdhetarët”, theksoi Haziri.
Sipas tij, LDK do të funksionojë gjithmonë mbi parimin ku gratë kërkojnë e burrat implementojnë, dhe ku të rinjtë kërkojnë, ndërkaq burrat e gratë implementojnë politika të përbashkëta.
“Udhën për shpëtimin e Republikës e bëjmë bashkë me bashkatdhetarët, të cilët janë kontributdhënësit më të mëdhenj të kësaj Republike, për t’ia rikthyer Kosovës formën, besimin e shpresën”, përfundoi kryetari i degës së LDK-së në Gjilan.
