Përmbyllet manifestimi tradicional “Ditët e Agimit” në Zhegër
Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, dhe Shoqatës Kulturore “Ditët e Agimit”, kanë vazhduar aktivitetet e manifestimit tradicional kulturor “Ditët e Agimit 2026” në Zhegër – shkruan TV Gjilani.
Në ceremoni ishin të pranishëm përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, Komuna e Gjilanit, subjekte politike dhe qytetarë të shumtë.

Kryetari Hyseni tha se sot në Zhegër u bënë bashkë për të përmbyllur “Ditët e Agimit”, në ditën kur komandant Agim Ramadani – Katana do të festonte 63-vjetorin e lindjes, nëse jeta e tij nuk do të ishte ndërprerë në altarin e atdheut.
“Sot nuk kujtuam vetëm një komandant që theu kufijtë e padrejtë me forcën e pushkës. Kujtuam poetin që e shkroi lirinë me vargje para se ta vuloste me gjak, dhe artistin që pikturoi të ardhmen tonë me ngjyrat e sakrificës”, theksoi Hyseni.

Ai shtoi se nga fushat e sportit te vargjet e rinisë, Zhegra dhe Gjilani frymuan këto ditë me energjinë e tij.
“Lavdi e përjetshme Komandantit Agim Ramadani”, përfundoi kryetari Alban Hyseni.

