Haziri: Bashkimi i të djathtës rikthen rolin e LDK-së në shtet, funksionalizohet Shtabi i madh në Gjilan për zgjedhjet e 7 qershorit
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se bashkimi i të djathtës nënkupton rikthimin e rolit të LDK-së në shtet dhe kthimin e pushtetit te qytetarët.
Në mbledhjen e rregullt të Kryesisë së Degës së LDK-së në Gjilan, është funksionalizuar Shtabi i madh për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, me qëllim mobilizimin për ndërtimin dhe bashkimin e të djathtës.
“Në esencë, çdo qytetar do të jetë anëtar i Shtabit deri në arritjen e qëllimit të madh të bashkimit të të djathtës, që nënkupton rikthimin e rolit të LDK-së në shtet dhe për t’ia kthyer pushtetin qytetarëve,” ka shkruar Haziri.
Ai ka njoftuar se ditëve në vazhdim do të funksionalizohen edhe shtabet e nëndegëve. Bashkë me Forumin e Rinisë dhe Forumin e Gruas, LDK-ja do t’i intensifikojë takimet me qytetarët për, siç e quan ai, “rikthimin e madh të LDK-së”.
“Bashkatdhetarët dhe qytetarët e Kosovës janë binom i pandashëm dhe i pathyeshëm me historinë dhe të ardhmen e LDK-së,” theksoi Haziri.
Sipas tij, LDK-ja të gjitha çështjet i ka mbyllur dhe riafirmuar më 31 janar. “Tash është koha për ta zgjedhur unitetin e të djathtës, përreth vlerave të LDK-së dhe Rugovizmit. Koha që krejt dashninë t’ia japim Republikës,” përfundoi Haziri, duke shtuar moton: “LDK, besë e shpresë për Kosovën!”
