Suedia ashpërson rregullat për nënshtetësi, vendimi kalon me një votë diferencë
Profesoresha Silvana Begaj: Ndryshime të rëndësishme për nënshtetësinë suedeze, raporton TV Gjilani
Parlamenti suedez ka miratuar më 29 prill 2026 ndryshime të rëndësishme ligjore për nënshtetësinë, me një rezultat shumë të ngushtë prej 147 votash pro dhe 146 kundër. Rregullat e reja pritet të hyjnë në fuqi më 6 qershor 2026, ndërsa testet e gjuhës dhe njohurive shoqërore do të zbatohen gjatë vitit 2027.

Silvana Begaj – Stokholm (Suedi)
Sipas ndryshimeve, koha e qëndrimit për aplikim rritet nga 5 në 8 vite. Po ashtu, aplikantët do të duhet të kalojnë provime në gjuhën suedeze dhe të dëshmojnë njohuri mbi shoqërinë, si dhe të plotësojnë kriterin e vetëmbajtjes financiare me të ardhura të qëndrueshme.
Ligji parasheh edhe vlerësim më të rreptë të sjelljes dhe mënyrës së jetesës, ku borxhet, detyrimet e papaguara apo problemet ligjore mund të ndikojnë negativisht në marrjen e nënshtetësisë.
Ndryshimet prekin edhe aplikimet në proces, pasi ekziston mundësia që rregullat e reja të zbatohen edhe për ata që kanë aplikuar sipas ligjit të vjetër, nëse vendimi për rastin e tyre nuk është marrë ende.
