Ndahet nga jeta Haxhi Rasim Bajrami, babai i dy dëshmorëve të kombit
Ka ndërruar jetë Haxhi Rasim Bajrami, babai i dëshmorëve të kombit, Shaban Bajrami dhe Enver Bajrami.
I ndjeri u lind dhe u rrit në fshatin Breznicë të Komunës së Bujanocit, ndërsa pas luftës pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Gjilan.
Lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur familja Bajrami, e cila, mes dhimbjes, u shpreh: “Lamtumirë Baba Haxhi, Zoti të pastë në Xhenet. Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.”
Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër, e enjte, më 30 prill 2026, pas namazit të drekës (rreth orës 13:00), në varrezat e qytetit të Gjilanit.
Një jetë në shërbim të atdheut
Haxhi Rasim Bajrami u rrit në frymën patriotike dhe atdhedashëse, duke mos u pajtuar asnjëherë me regjimin serb. Këtë frymë e përcolli edhe te familja e tij ndër breza, duke i edukuar me dashuri për atdheun.
Gjatë luftës së viteve 1998–1999 në Kosovë, ai dha kontributin e tij në kuadër të mundësive që kishte. Po ashtu, edhe gjatë luftës së UÇPMB-së, së bashku me djemtë e tij, ishte vazhdimisht aktiv dhe i përkushtuar për çështjen kombëtare në Kosovën Lindore.
Ai përjetoi humbje të mëdha, pasi forcat serbe ia vranë dy djemtë e tij – Enverin dhe më pas Shabanin – të cilët ranë për lirinë e atdheut dhe u përjetësuan si dëshmorë të kombit. Megjithë dhimbjen e rëndë, ai mbeti i pathyeshëm në qëndrimet dhe idealet e tij.
Për më shumë se dy dekada, atij iu pamundësua të vizitonte vendlindjen dhe varret e dy djemve të tij, një plagë që e shoqëroi gjatë gjithë jetës, por që e përballoi me dinjitet të rrallë.
Vitet e fundit i kaloi në Gjilan, duke jetuar me mall për vendlindjen dhe kujtimin e bijve të tij.
Kujtim i përhershëm
Haxhi Rasim Bajrami do të kujtohet si një njeri i fortë, stoik dhe i palëkundur në idealet e tij, një prind që i dha kombit dy dëshmorë dhe u bë pjesë e historisë së lavdishme shqiptare.
Ngushëllime familjes Bajrami, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën.
I përhershëm qoftë kujtimi për të.
