Studentët e Fakultetit të Edukimit realizojnë aktivitete kreative në kuadër të praktikës pedagogjike
Studentët e Fakultetit të Edukimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” vazhdojnë të dëshmojnë përkushtimin dhe kreativitetin e tyre në kuadër të përgatitjes profesionale, përmes aktiviteteve praktike që lidhen drejtpërdrejt me punën në institucione edukative.
Sot, në institucionin parashkollor “Integj”, në kuadër të lëndës Praktika Pedagogjike IV, u realizua një aktivitet i veçantë me karakter edukativ dhe artistik.

Ky aktivitet u organizua dhe u zhvillua nga studentët, në bashkëpunim të ngushtë me edukatoret mentore të institucionit, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe frymëzuese për fëmijët.
Nën mbikëqyrjen profesionale të Prof. Ass. Dr. Shqipe Avdiu-Kryeziu, studentët sollën përpara fëmijëve shfaqjen e njohur “Kësulkuqja”. Interpretimi i tyre u karakterizua nga përkushtimi, kreativiteti dhe përdorimi i elementeve të ndryshme pedagogjike dhe artistike, duke e bërë shfaqjen tërheqëse dhe edukative për audiencën e vogël.

Fëmijët e pranishëm e mirëpritën këtë aktivitet me entuziazëm të madh, duke marrë pjesë aktive dhe duke reaguar pozitivisht gjatë gjithë performancës. Kjo dëshmoi ndikimin e drejtpërdrejtë që kanë metoda të tilla interaktive në zhvillimin emocional dhe social të fëmijëve.

Ky aktivitet ndërthurrr teorinë me praktikën, një komponent kyç në formimin e studentëve të edukimit. Përmes përvojave të tilla, studentët kanë mundësi të zhvillojnë aftësitë e tyre pedagogjike, komunikative dhe kreative, duke u përgatitur më mirë për sfidat e profesionit të tyre të ardhshëm.
