Komiteti për Politikë dhe Financa në Viti mbajti mbledhjen e dytë të radhës
Komiteti për Politikë dhe Financa në Komunën e Vitisë ka zhvilluar sot mbledhjen e rregullt, ku u shqyrtuan dhe miratuan disa çështje të rëndësishme për funksionimin e komunës.
Një nga vendimet kryesore ishte miratimi i listës së pronave të paluajtshme komunale, të cilat planifikohen të jepen në shfrytëzim gjatë vitit 2026. Ky hap synon menaxhim më efikas të aseteve komunale dhe përdorim të qëndrueshëm të tyre.
Në kuadër të këtij procesi, u vendos edhe formimi i komisionit për vlerësimin e ofertave për shfrytëzimin e pronave, për të siguruar transparencë dhe procedura të rregullta.
Një tjetër pikë e rëndësishme e mbledhjes ishte shqyrtimi i propozimit për miratimin e marrëveshjes së binjakëzimit ndërmjet Komunës së Vitisë dhe Komunës së Saint Julien në Gjenevë, Francë, një hap që pritet të nxisë bashkëpunim ndërkombëtar në fusha të ndryshme.

Gjithashtu, u diskutuan dy pika të reja:
- Propozim vendim Nr. 01-110/05-277, datë 02.03.2026, për ndërrimin e destinimit të parcelave me sipërfaqe 17,758 m² për ndërtimin e një çerdheje publike.
- Deklarata mbështetëse e Kuvendit Komunal për eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave në politikë dhe jetën publike, e miratuar më 19 nëntor 2024 nga Kuvendi i Kosovës dhe nënshkruar nga 66 deputete të legjislaturës së VIII.
Mbledhja e ardhshme e Kuvendit Komunal të Vitisë është caktuar të mbahet më 30 mars 2026.
