Ministri Xhelal Sveçla viziton Gjilanin, diskutohet për sigurinë dhe bashkëpunimin institucional
Gjilan, 17 mars 2026 – Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka qëndruar sot për vizitë në Gjilan, ku është pritur nga kryetari i komunës, Alban Hyseni, së bashku me drejtorin e Administratës, Elbasan Shabani, këshilltarë komunalë dhe zyrtarë të tjerë.
Gjatë takimit, palët kanë diskutuar për çështje të sigurisë, rendit publik dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim rritjen e sigurisë për qytetarët.

Kryetari Alban Hyseni bëri të ditur se në fokus të bisedimeve kanë qenë edhe çështjet që prekin banorët e Luginës, duke theksuar nevojën për adresimin e sfidave dhe rritjen e përkrahjes institucionale.
Ai shtoi se, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet qendrore dhe Qeverinë Kurti, do të vazhdojnë angazhimet që Gjilani të jetë një vend edhe më i sigurt dhe më i mirë për të jetuar.
