Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” priti në takim Drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan
Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka pritur sot në takim Kolonel Agron Rukiqi, Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.
Gjatë takimit, u bisedua mbi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve arsimore dhe policisë, sigurimin e një ambienti të sigurt për studentët dhe stafin, si dhe mundësitë e organizimit të aktiviteteve të përbashkëta edukative dhe informative.

Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Rektor i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, theksoi se siguria e studentëve dhe e stafit akademik është prioriteti ynë kryesor. Rektori Dërmaku tha se bashkëpunimi me Policinë e Kosovës është i domosdoshëm për krijimin e një ambienti të sigurt dhe mbështetës për mësimdhënie, kërkime shkencore dhe aktivitete studentore.

Nga ana e tij, Kolonel Agron Rukiqi, Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, tha se Policia e Kosovës është e përkushtuar të mbështesë institucionet arsimore në garantimin e sigurisë dhe rendit publik. Kolonel Rukiqi shtoi se bashkëpunimi me Universitetin Publik “Kadri Zeka” do të vazhdojë të forcohet përmes aktiviteteve preventive dhe programave të ndërgjegjësimit për studentët dhe stafin.
Të dy palët u pajtuan për nevojën e bashkëpunimit të ngushtë dhe të vazhdueshëm për të siguruar që ambientet universitare të jenë të sigurta, ndërkohë që nxitin zhvillimin akademik dhe shëndetin e komunitetit universitar.
