Osmani për formimin të Komisioneve: Kushdo që thotë se është e pamundur, ju gënjen, s’ka ndonjë filozofi të komplikuar
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se kushdo që thotë se kushdo që ka deklaruar se çështja e themelimit të Komisioneve ku do të votohej për Buxhetin e Kosovës, atë të RTK-së dhe Plani i Rritjes është i pamundur siç thotë ajo “është duke ju gënjyer”.
Osmani në një deklarim për media e ka ripërsëritur se mënyra e vetme për të gjetur zgjidhjen për pagat e punëtorëve të RTK-së, është formimi i komisioneve.
“Ka disa javë që ekipi im ligjor, një ekip jashtëzakonisht profesional, ka analizuar të gjitha mënyrat e mundshme dhe ka ardhur në përfundimin se mënyra e vetme që kjo çështje të përfundojë ligjërisht dhe shpejt është formimi i komisionit. Për mua ka qenë për keqardhje reagimi i disa personave, përfshirë edhe në sindikatë, të cilët kanë kundërshtuar kërkesën time, kërkesë që ishte bërë për t’i ndihmuar punëtorët e RTK-së që kanë mbetur pa paga, gjë që prek rreth 700 familje. Si Presidente, kam treguar gatishmërinë e plotë: kam bërë thirrje publike, kam shprehur gatishmëri që të takohem me partitë politike, dhe në vend që të mirëpritej një iniciativë e tillë, është interpretuar si sikur unë po bllokoj formimin e komisioneve. Kjo është diçka e padëgjuar dhe e paparë për mua. Sepse, nëse dikush vërtet dëshiron të rregullohet çështja e pagave, atëherë kërkesa është tepër e thjeshtë. Nuk mund të jetë më e thjeshtë: të formohet komisioni. Kuvendi tashmë është i konstituuar”, tha Osmani.
Ajo thotë se kërkesa për të bërë komision nuk është ndonjë kompromis, siç po pretendohet.
“Pse të mendojë dikush se formimi i komisionit nënkupton ndonjë koncesion apo kompromis? Edhe ashtu, të qenit kryetar i atyre komisioneve nuk është ndonjë privilegj i jashtëzakonshëm. Thjesht formohet komisioni dhe për pesë minuta miratohet çështja e pagave, dhe të gjithë i merrni pagat në llogari. Unë kam pritur që një angazhim i tillë do të mirëpritej. Nuk ka asnjë arsye që partitë politike të bllokojnë formimin e komisioneve. Kushdo që ju thotë të kundërtën, është duke ju gënjyer. Nuk ka asnjë komplikim për krijimin e institucioneve, të jeni të sigurt. Kushdo që thotë se është e pamundur, është duke ju gënjyer. Ne si Presidencë kemi ndërmarrë iniciativën, por ajo nuk është pritur mirë nga disa njerëz në sindikatë, gjë që është për keqardhje. Ne kërkojmë që të respektohet ligji dhe që komisionet të formohen urgjentisht, sepse Kuvendi është i konstituuar dhe këto çështje duhet të përfundojnë jo vetëm pagat e RTK-së”, tha Osmani
Presidentja Osmani sërish u ka bërë thirrje deputetëve të secilës parti që ta zhbllokojnë këtë cështje, duke theksuar se nuk ka ndonjë filozofi në krijimin e komisioneve.
“U bëj thirrje sërish deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të gjithëve, pavarësisht cilës parti politike i përkasin. Edhe herën e kaluar kam folur për të gjitha partitë politike, sepse të gjitha kanë përgjegjësi që të votojnë planin e rritjes dhe marrëveshjen me Bankën Botërore. Nuk ka asnjë arsye që këto procese të bllokohen. Kërkohet një votë e tyre, në interes të Kosovës, për të gjitha këto çështje. Nuk ka ndonjë filozofi të komplikuar në krijimin e komisioneve , gjë më të thjeshtë nuk ka. Thjesht duhet t’ua kërkojmë deputetëve, të gjithë deputetëve. T’u kërkojmë gjënë më të thjeshtë: të kryejnë punën e tyre dhe të realizojnë funksionin për të cilin janë zgjedhur”, tha Osmani.

