
Presidenti Ismet Krasniqi ka pritur sot ekipin e karatesë së Kosovës pas suksesit në Yerevan të Armenisë
Presidenti Ismet Krasniqi ka pritur sot ekipin e karatesë së Kosovës pas suksesit të arritur në Kampionatin Evropian të karatesë, që u mbajt në Yerevan të Armenisë.

Betim Maliqi fitoi medaljen e bronztë, sikurse ekiporja e vajzave, ndërsa Islam Selmani doli i 5-ti. Me ekipin ishin edhe sekretari i përgjithshëm i FKK-së, Nazmi Gashi dhe përzgjedhësi, Isak Curri.
Presidenti përgëzoi ekipin për suksesin e arritur, duke thënë se medaljet e fituara tashmë nuk janë befasi, por sukses i vazhdueshëm i punës dhe përkushtimit të sportistëve, trajnerëve, klubeve dhe vetë federatës.
Nga ana e tyre, sekretari Gashi, përzgjedhësi, Curri, por edhe vajzat: Fortesa Orana, Vlera Qerimi e Behije Mustafa, që ishin të pranishme, folën për sfidat dhe suksesin e shënuar. Derisa për Betimin ishte medalja e parë në një nivel të tillë, për vajzat është suksesi i dytë pas të bronztës në Kampionatin Botëror.
