Hamza thotë s’e nuk përfshihen në qeveri me Kurtin: I respektojmë procedurat, nëse VV nuk mundet – Qeverinë e bën opozita
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza në paraqitjen e parë para mediave pas përfundimit të zgjedhjeve ka mohuar çdo mundësi për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
Hamza tha se shumica shqiptare në këto zgjedhje ka treguar se dëshiron një qeveri të re, të opozitës.
Por Hamza tha se PDK do të respektojë procedurat dhe nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk arrin ta krijojë qeverinë, atëherë do të kemi qeveri të opozitës.
“Ne e kemi për detyrim dhe përgjegjësi që t’u japim qytetarëve qeverinë që ata e duan dhe që e kanë votuar. Si partia e dytë më e madhe ne do të ndërmarrim hapat e nevojshëm në kohën e duhur për të zbatuar vullnetin e shumicës së votuesve. Ne do të punojmë që tu japim qytetarëve qeverinë që kanë votuar shumicën, Ne do të bashkojmë qytetarët dhe do të punojmë fort për ta mbajtur premtimin tonë për ta bërë Kosovën më të mirë. Rezultati zgjedhor është që shumica e qytetarëve shqiptarë duan qeveri të re. Procedurat janë të qarta, partisë së parë i takon që të provojë t’i krijojë institucionet. Nëse nuk munden ata, opozita si fituese e këtyre zgjedhjeve mund ta bëjë qeverinë e re.”, tha ai.
Hamza foli edhe për dallimet e PDK-së me VV-në.
“Sot shumica e qytetarëve shqiptarë që votuan që ajo qeveri të vazhdojë. Qytetarët në këto zgjedhje i kanë besuar opozitës prandaj në këto zgjedhje kanë fuqizuar partitë opozitare. Kjo më obligon mua dhe PDK-në si partia më e madhe opozitare që të sillemi në mënyrë të përgjegjshme për ta respektuar vullnetin e shumicës shqiptare për ndryshim. Ne nuk do të përfshihemi në asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Kemi dallime të mëdha, ata duan pushtet absolut dhe gjatë fushatës ikën nga ballafaqimi edhe në studio televizive. Ata I ofenduan kundërshtarët politik dhe përmes kësaj edhe qytetarët e Republikës së Kosovës. Ata nxitën urrejtje kurse ne Bashkim e bashkëpunim”, u shpreh ai.