Brengat e zemrës dhe të shpirtit…
“Nuk predikohet askund sekreti se si të jetohet jeta në mënyrën më të mirë të mundshme apo si të zbatohet mendimi pozitiv. Kështu njeriu, sikurse bateria, konsumohet dhe harxhohet, deri në djegie (burn out). Nuk gjen mbushës për baterinë e quajtur Njeri” – (Dr.Vlora Obërtinca).
Ne jetojmë në një shoqëri moderne, ku fare pak predikohet mënyra pozitive e të menduarit si çelës për jetë të suksesshme.
Madje mbizotëron frenimi, ku një shoqëri e tërë predikon se si njeriu duhet të punojë shumë për të arritur pak, që realisht flet për një rrugë fizike dhe psikike të mundimshme.
Shkruan: Dr. Vlora Obërtinca
Në vend që të predikohet të menduarit pozitiv si gur themel për të filluar çdo punë me lehtësi, në fakt është predikuar mendimi negativ për të arritur diçka pozitive në jetë dhe kështu, mbi bazën negative, çdo ditë e më shumë është trashur negativiteti i të jetuarit dhe si pasojë e kësaj, në shumicën e rasteve, njerëzit nuk arrijnë t’i realizojnë ëndrrat e tyre.
Ka raste, kur njerëzit rezonojnë pozitivisht dhe arrijnë të realizojnë ëndrrat e tyre, qoftë realizimin e studimeve në universitetin më të mirë apo edhe të bëjnë punë që paguhen shumë mirë, por nuk dinë ta shpjegojnë se si pas arritjes së të gjitha qëllimeve të jetës, ndihen të zbrazët dhe shpeshherë kalojnë në depresion dhe nuk dinë ta shpjegojnë pse ndodh kjo.
Kjo ndodh, sepse e tërë energjia jonë ndër vite harxhohet me dominimin e negativitetit, duke u munduar të realizojmë dëshirat dhe qëllimet tona. Çuditërisht, ditë pas dite zgjohemi të lodhur, të rraskapitur, pa vullnet për jetë dhe punë, që dikur aq shumë dëshiruam ta arrijmë.
Tani jemi këtu dhe nuk dimë t’i gëzojmë këto të mira dhe pyesim veten: Vallë, a jemi ne të vetmit që po na ndodh kjo, ngaqë askush tjetër pos nesh nuk është duke u ankuar?
– Askush nuk ankohet, ngaqë secili prej nesh ka frikë që të mos e dinë të tjerët se si ndihemi brenda vetes, sepse mund të paragjykohemi nga shoqëria dhe nga rrethi i ngushtë dhe mund të përfundojmë të diskriminuar apo të përjashtuar nga ky rreth. Kjo ndodh ngaqë nuk jemi të hapur me njëri-tjetrin, nuk jemi të sinqertë, sepse frika na e drejton jetën dhe jo motivi pozitiv për jetën.
Deri kur duhet të jetojmë jetën e rrejshme, të jetojmë për sytë e botës, ose të jetojmë për një kompliment, ose mendim të mirë “fals” nga të tjerët, të cilët njëkohësisht ndihen keq përbrenda, dhe po të njëjtit duhet të na japin vlerësime apo ndodh edhe anasjelltas?
Në fund të fundit, gati të gjithë jemi të pakënaqur në heshtjen tonë, duke u shkrirë dhe duke u venitur si një qiri që nuk ka gojë të flasë, derisa fitilit t’i vijë fundi. Mendoj se shekulli i 21-ë duhet të jetë shekull i shënuar për shumë zbulime shkencore, për shërimin e shumë sëmundjeve, por njëkohësisht besoj se njerëzit do të fillojnë të afrohen më shumë me njëri-tjetrin dhe duke u hapur me njëri-tjetrin, do ta shërojnë njëri-tjetrin në mënyrë natyrale.
Andaj, mos luftoni me jetën, por bëni paqe me jetën dhe me njerëzit që ju rrethojnë. Shijojeni jetën duke e marrë çdo gjë që ju ndodh në jetë si diçka shumë të rëndomtë dhe njerëzore dhe mos hezitoni të hapni zemrat tuaja, sepse kështu nuk do t’i ndihmoni vetëm vetes suaj, por edhe njerëzve të tjerë, që janë në të njëjtën pozitë si ju.
Pranojeni jetën ashtu siç ju vjen, sepse ju e keni krijuar vetë këtë jetë, me mënyrën tuaj të të menduarit. Nëse nuk jeni të kënaqur me jetën tuaj, hapuni me njerëzit më të afërt dhe rrëfeni brengën e zemrës, sepse të gjithë i kemi ato brenga, në një mënyrë apo në tjetrën.
Pasi ne, me mendimet tona, e krijojmë realitetin tonë, atëherë ne mund të fillojmë në çdo kohë të ndryshojmë mendimet tona dhe me këtë të fillojmë edhe ta ndryshojmë realitetin me të cilin nuk jemi të kënaqur. Andaj, gjithmonë do të kemi nevojë për njerëzit e dashur që na rrethojnë. Mos hezitoni të kërkoni ndihmë dhe të rrëfeheni, sepse kjo mënyrë është më e lehta për të tejkaluar sfidat, problemet dhe brengat e zemrës dhe të shpirtit.
Mos u mbyllni në vetvete, sepse, duke u mbyllur në vetvete, krijoni qeli burgu në mendjen dhe shpirtin tuaj dhe me këtë e mbyllni dhe e shuani vetë jetën tuaj, që është e shenjtë. Mos e frikësoni veten tuaj me mendime të frikshme, sepse secili prej nesh ka dëshirë të ketë mendime që na bëjnë të lumtur dhe për të qeshur, mendime që na bëjnë të ndihemi mirë, sepse gjatë 24 orëve vetëm mendimet tona janë gjithmonë me ne dhe na përcjellin gjithandej.
Nuk ka ilaç më të mirë se sa të zgjedhim mendime të bukura dhe pozitive dhe t’u themi mendimeve të këqija “shporruni, sepse ju nuk keni vend në mendjen dhe trupin tim!”. Unë kam ardhur në këtë jetë të gëzoj çdo moment të bukur dhe nuk do t’ia lejoj askujt dhe asgjëje të ma prishë as lumturinë, as këtë ditë të bukur. Asnjë moment që kalon, nuk kthehet më, andaj duhet t’i themi vetes sonë se çdo çasti të jetës do t’i jap bukuri, aq sa mundem do ta gëzoj dhe do ta shijoj jetën, sepse jeta është e bukur dhe jetohet vetëm njëherë.
Atëherë le ta jetojmë jetën nga prizmi i bukur. Kjo është thjeshtësia e të menduarit, që do të thotë, të mendojmë mirë dhe përfundimi i çdo gjëje do të jetë i mirë. Edhe kur informata e parë vjen si negative, nëse jemi në gjendje ta transformojmë, do të jemi në rrugë të mirë për ta menaxhuar suksesshëm jetën tonë. Sekreti qëndron në atë se sa kemi aftësi që informatën e parë negative, që e marrim për një rast, ta shndërrojmë dalëngadalë në situatë pozitive dhe, si të tillë, ta përmbyllim, sepse në fund të fundit, çdo informatë që e perceptojmë, është vetëm një mendim dhe mendimin mund ta ndryshojmë në çdo kohë.
- Psikoterapia më e mirë është biseda me njerëzit dashamirës që ju rrethojnë. Të gjithë ne kemi probleme të natyrave të ndryshme. Pse të mos e hapim zemrën, ta zbrazim helmin e grumbulluar brenda nesh?
- Kur edhe familjet mbretërore kanë probleme, atëherë edhe ne si njerëz të thjeshtë që jemi, pse të mos kemi probleme?
Familjet mbretërore sot përballen me probleme të njerëzve të rëndomtë, qoftë probleme divorci, konsum drogash, depresion, alkoolizëm, fëmijë jashtë martese etj, etj. Familjet mbretërore kanë mundësi të pashtershme financiare dhe mekanizma për të angazhuar me automatizëm për t’i zgjedhur problemet e tyre. Përderisa mekanizmi ynë më i fortë, si njerëz të thjeshtë, është faktori njeri dhe human me njëri-tjetrin që, është faktori kyç për të tejkaluar çdo sfidë në jetë. Por, të mos harrojmë se të gjithë ne, edhe pse s’jemi familje mbretërore, por familje të zakonshme, jemi njerëz që përdorim mekanizmin më të fortë që ekziston, që është mendja jonë e shëndoshë dhe kështu, në raste të vështira, ne duhet t’i vijmë në ndihmë njëri-tjetrit, sepse fjala e mirë e gojës, fjala përkrahëse dhe ngushëlluese, fjala e dashur dhe e çiltër që buron nga zemra dhe shpirti, është falas.
Këto veprime, karshi njeriut në nevojë, janë një thesar i paçmuar në shërimin e mendjes, zemrës dhe shpirtit të tij në momente të vështira të jetës, duke mos harruar që secili prej nesh mund të gjendet një ditë në atë pozitë.
Çdo mëngjes kur zgjohem dhe çdo mbrëmje para gjumit, falënderoj për çdo gjë që kam në jetë, praktikë që e kam mësuar në shkollat metafizike. E falënderoj Zotin për çdo gjë dhe për çdo bekim që kam në jetë dhe kështu e filloj ditën me mendime të bukura dhe mundohem, aq sa mundem, të qëndroj me mendime pozitive, që ta përmbyll ditën me mendime të bukura.
Shpeshherë, kur e zë veten që më ka fluturuar mendja në diçka të keqe, shpejt e përmbledh mendjen time dhe e kthej në një ngjarje të bukur që më ka ndodhur apo që pres të më ndodhë, duke i paraprirë asaj ngjarjeje me mendime të bukura.
Nëse çdo mëngjes filloni të praktikoni falënderimin për të mirat që keni në jetë, do ta mësoni trurin tuaj, që ta filloni ditën me mendime të bukura dhe do ta mësoni se si t’i lidhni në formë zinxhiri mendimet pozitive gjatë ditës. Natyrisht, ne nuk mund të lundrojmë tërë kohën vetëm në mendime pozitive, por, së paku, të mundohemi t’ia marrim anën mendimeve negative dhe kështu të arrijmë të kemi një bilanc pozitiv ditor të mendimeve.
Ndryshimin e mënyrës së të menduarit dhe ndikimin e tij direkt në ngjarjet e jetës, në mënyrë intuitive, e kam kuptuar në fillimin e dekadës së dytë të jetës sime. Dhe që atëherë, kam filluar të zbatoj dalëngadalë ndryshimin e mendimeve, ndonëse është një proces i vështirë, kur mësohet në moshë madhore dhe jo në atë fëmijërore. Kjo ngase deri në atë moshë unë kam mbledhur miliona e miliona mendime në ndërdijen time, një pjesë e të cilave sigurisht është negative dhe, pavarësisht dijes që kam deri tani dhe përkushtimit tim për të ndryshuar mënyrën e mendimit, është proces që kërkon kohë dhe durim për ta realizuar atë. Andaj, unë vazhdoj praktikimin e mënyrës pozitive të mendimit, duke e tejkaluar vazhdimisht atë negative, sepse në fund të ditës e di që jam unë ajo që në të ardhmen do t’i paguaj llogaritë për mënyrën e të menduarit të sotëm.
Shpeshherë më shfaqet ndonjë situatë e pakëndshme dhe them me veten time: “Ah si ndodhi kjo situatë, duke qenë se unë çdo ditë praktikoj mendimin pozitiv?” Nganjëherë më ikin edhe orë të tëra duke u munduar të lirohem nga situata negative, për të kaluar në mendime pozitive të momentit. Por, e rëndësishme është se unë nuk dorëzohem. Në një moment i flas vetes sime dhe i them: “Prit pak se kjo situatë më është shfaqur për të më mësuar diçka të mirë, sepse e tërë kjo situatë është mësim për mua dhe leksionet e saj duhet të mësohen. Vlora, merre me qetësi situatën, sepse për çdo situatë, njeriu i gjallë dhe i shëndoshë ia gjen zgjedhjen, sepse siç thotë një fjalë e urtë “njeriu, para se të vijë në jetë, Zoti i ka dërguar paraprakisht të gjitha zgjedhjet e jetës”, që do të thotë se ne vetëm sa sprovohemi, se sa jemi të aftë dhe sa kemi qetësi dhe durim të gjejmë zgjidhje që janë para nesh”.
Në kësi situatash negative, i them vetes sime: “Unë jam krijuese e realitetit tim dhe e pranoj me vetëdije të plotë që këtë situatë të krijuar sot, e kam krijuar me mënyrën negative të të menduarit në të kaluarën”. Me rëndësi është që unë nuk fajësoj askënd për situatën e krijuar, por e marr përgjegjësinë e plotë, që unë jam shkaktare e mendimeve të mia, por njëkohësisht, unë jam ajo që i gjej zgjidhjet më të mira të mundshme për veten time, sepse mendja që e ka krijuar problemin, po ajo do ta gjejë zgjidhjen e duhur për mua.
Në fund, i them vetes sime se çdo gjë që ndodhi, është për të mirën time dhe fundi i kësaj pune është i shkruar për të mirën time, për lumturinë dhe mirëqenien time. Kështu i thërras paraprakisht në mendje fjalët e mia, të mirën, lumturinë dhe mirëqenien e situatës konkrete dhe njëkohësisht, i hap derën të ardhmes së ndritur për veten time. Unë jo vetëm që e them, por tani, duke e praktikuar çdo ditë mënyrën pozitive të të menduarit, edhe e besoj një gjë të tillë. Abraham Hicks thotë: “Kërko dhe kërkesat e tua janë të plotësuara nga Universi”.
Problemin e krijojmë gjithmonë ne, me mendjen tonë, duke mos besuar se mund të realizojmë mendimet tona pozitive, që do të thotë se kërkojmë apo shprehim dëshira dhe në po të njëjtën kohë i vëmë në dyshim ato kërkesa si potencialisht të parealizueshme, që do të thotë se ne vetëkundërshtojmë apo sabotojmë realizimin e dëshirave tona, duke shprehur dyshim dhe jo besim të plotë në mendimet tona.
Universi nuk pranon mendime të paqarta, andaj edhe dëshirat tona vonohen për t’u realizuar apo nuk realizohen kurrë, sepse mënyra e të kërkuarit duhet të përkojë me rezultatin. Janë tri hapa, sipas Hicks: kërko, beso dhe prano. Mosbesimi shkakton mospranimin apo realizimin e kërkesës apo dëshirës sonë.
A i keni parë fëmijët se sa të sigurt janë, kur kërkojnë lodra për t’i pasur ato? Ata nuk dinë të analizojnë se si fitohen paratë, a ka para të mjaftueshme apo jo, a gjendet lodra në tregun tonë apo jo. Ata thjesht janë të sigurt se lodrën do ta kenë në duart e tyre dhe zakonisht ashtu bëhet, sepse ata nuk dinë të mos besojnë, që do të thotë, ata kërkojnë dhe besojnë njëkohësisht pa kushtëzime dhe kjo gjendje e sigurt e të menduarit, ua sjell lodrën në duart e tyre. E shihni që edhe ne të rriturit mund të mësojmë shumë nga fëmijët tanë për sekretet e të jetuarit mirë.
Në fakt, jemi ne të rriturit që gjatë procesit të rritjes së fëmijëve, gabojmë dhe fusim dyshime dhe pasiguri te fëmijët tanë dhe në këtë mënyrë fëmijët, sa më shumë rriten, aq më shumë bëhen më të pasigurt në hapat e të jetuarit të jetës së thjeshtë, duke e vështirësuar atë me mosbesimin e përcjellë nga gjeneratat më të vjetra tek ata. Por, mos harroni, se kurrë nuk është vonë për të mësuar, për të ndryshuar dhe për të filluar të jetoni mirë jetën. Niseni sot!
Dr. Msc. Vlora Obertinca – ështe motivuese, shkrimtare dhe poete që shkruan në gjuhën shqipe dhe angleze. Ajo është poliglote, eksperte e tregjeve financiare dhe doktor shkence në lidership, e arsimuar në Universitetin ekonomik të Vjenës. Ka një karriere të bujshme pas vetes, duke qe qenë pesë herë në postin e drejtoreshës në institucionet kyqe financiare të Kosovës. Ajo njihet edhe si hartuese e reformave ekonomike qeveritare në cilësinë e ekspertes së pavarur .
Fragment i shkeputur nga libri i saj motivues “ Vera e shpirtit “.