Arrestohet i dyshuari i tretë për grabitjen e argjendarisë në Suharekë
Policia e Kosovës ka arrestuar edhe personin e tretë, i cili dyshohet se ishte përfshirë në grabitjen e armatosur në një argjendari në Suharekë.
Lajmin e ka konfirmuar prokurorja e rastit, Ervehe Gashi.
“Po është arrestuar edhe personi i tretë”, tha shkurtimisht ajo.
Ndërkaq, të shtunën, nën pranga u arrestuan edhe dy persona tjerë, që po ashtu dyshohet se u përfshin në grabitjen e armatosur.
Një grabitje e rëndë në një biznes argjendarie në Suharekë, të mërkurën ka tronditur opinionin publik në Kosovë.
Policia e Kosovës teksa ka njoftuar për rastin, ka thënë se me të marr informatën për një rast “grabitje e armatosur”, që ishte në zhvillim e sipër në një argjendari, në rrugën Brigada 123, në Suharekë, patrulla më e afërt është nisur në atë drejtim, duke mbërri shumë shpejt në vendin e ngjarjes dhe duke hasur grabitësit në aksion.
“Të dyshuarit ishin të maskuar dhe të armatosur. Posa patrulla policore ka mbërri në vendin e ngjarjes të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë, me atë rast një zyrtar policor është plagosur lehtë nga arma e zjarrit, ndërsa një tjetër zyrtar policor është lënduar gjatë aksionit”, thuhet në njoftim.