Shefja e USAID-it vjen për vizitë në Kosovë
Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Samantha Power, do të qëndrojë sot (e enjte) për vizitë në Kosovë. Ajo qëndroi një ditë më parë në Beograd, ndërsa në Prishtinë do të ketë takime gjatë pasdites së sotme si dhe të premten.
Pas takimeve me krerët shtetërorë në Serbi, në një paraqitje për media, shefja e USAID-it deklaroi se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë kërkon guxim politik por do të sillte përfitime ekonomike.
Ajo tha se po udhëton drejt Kosovës për të ngritur çështje të ndjeshme dhe të vështira porse normalizimi i raporteve do të çlirojë një potencial të madh ekonomik për të dy vendet.
Power deklaroi se Deklarata për të Zhdukurit që është arritur në fillim të këtij muaji mes Kosovës dhe Serbisë është e rëndësishme, por shtoi se duhet bërë progres edhe në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Power u bë shefja e parë e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar që udhëton në Serbi, e cila mban lidhje të ngushta historike dhe kulturore me Rusinë. Ajo vlerësoi mbështetjen e Serbisë për Ukrainën, megjithëse Beogradi ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të luftës.