Poezia që thyen grilat e heshtjes
RIKTHIMI TEK POEZIA E REXHEP ELMAZIT (1938-1978 )
Gjithnjë ka një dashuri poetike pasioni për leximin dhe përjetimin e tekstit të njëmend poetik, qoftë poezi, vargim ose prozë me pleksje poetike. Mirëpo, dashnorë të poezisë do t`i konsideroja ata, që dinë t`i rikthejnë në përvjetorë autorët e mirëfilltë të artit poetik.
Nga: Meti Rexhepi
Në këtë përvjetorë poeti Rexhep Elmazi në Gjilan nuk është rast, por figurë vijueshëm e nderuar dhe, do të duhej të nderohej në përshkallëzimin tonë kombëtar, madje dhe të përkthehej në gjuhë të huaja.
Poetit Rexhep Elmazi në të gjallë, me gjithë ndërhyrjet e censurës të pushtetit jugosllav, iu mundësua t`i botohej vetëm libri i parë “FRYMËMARRJE” nga SHB Rilindja, në Prishtinë, më 1972, në edicionin “Libri i parë.” Ndonëse një trajtim të tillë Ai nuk e meritoi?! Meritonte t`i botoheshin edhe vëllime të tjera, gjithsesi pas atij vëllimit të parë, mjaft të cunguar. Në njërin nga takimet e rastit, si njëri nga adhuruesit e Tij, pyetjes time: – Rexhë a po shkruan? Rexhep Elmazi i qe përgjigjur me modestinë që e karakterizonte:
“-Nuk e di a po iu pëlqejnë çka po shkruaj unë?” Mandej, Ai pohoi:
“-Kam shkrime edhe për dy vëllime të tjera me poezi, më të mira se ai i pari.”
Pas vrasjes tragjike me paramendim nga UDB-ja, likuidimit fizik të Tij iu ngjit edhe një shkas komprometues, që u avullua sapo u bë publik. Gjilanasit e dinjitetshëm e njihnin bashkëqytetarin e tyre Rexhep Elmazin. Likuidimi fizik i këtij personaliteti u organizua për shkak të rritjes së ndikimit intelektual e atdhetar, me ndjeshmëri kritike dhe, reflektimit Tij përmes vlerave të artit letrar në mjedisin ku jetoi dhe veproi.
Konkurs për plotësimin e vendeve të lira të punës në shëndetësi
Nga miq e dashamirë të poetit, nën përkujdesjen e shkrimtarëve: Beqir Musliu, Zeqir Gërvalla, Musa Ramadani, Ramadan Musliu… Kishin mëtimin për gjithëpërfshirje të poezive të shpërndara gjithë andej, në revista e periodikun letrar të kohës, Rexhep Elmazit iu botua vëllimi poetik “FRYMA”, nga SHB Rilindja, më 1993. Së voni Profesor Dr. Anton Nikë Berisha përmes SHB “Beqir Musliu” në Gjilan, nga tërësia e opusit dhe e krijimtarisë, që i kishte shpëtuar syrit zhbirues të censurës shtetërore serbe, përzgjodhi 66 poezi, sipas shijes e kriterit tij, që u botuan në vëllimin “PSHERËTIMA SHIU”, më 2018. Parathënien për librin me përzgjedhje poezish e shkroi përzgjedhësi i poezive, studiuesi e shkrimtari Anton Nikë Berisha.
Tashmë, edhe me këtë vëllim poezish të përzgjedhura, mund të pohojmë se iu kemi përafruar përkufizimeve, ngërthesave të artit poetik të poezisë së Rexhep Elmazit, për shumëçka e veçantë.
Padyshim pohimin tim dua ta përtrollis përkitazi qasjeve e referencave, që iu bënë poezisë së këtij poeti, por pa i shmangur edhe pleksjet jetëshkrimore të poetit. Penat që shkruan për poezinë e Rexhep Elmazit, disa sish mund të mos ishin krejtësisht të profilizuar si studiues e kritikë letrare, por mes tyre kishte edhe qasje të thelluara dhe me kompetencë vështrimesh, shqyrtimesh, veçimesh e zbërthimesh analitike. Madje, kur e kur pati paraqitje artikujsh përgjithësues, me elemente të shumta biografike, si dhe rrokje të veçanta për opusin poetik, për motivet, për ideshmërinë, pasqyrime fragmentare, këndvështrime porosish, recensione, përpjekje për t`ia zbërthyer enigmat, ndjeshmërinë e hollë, mallin, anën ritmike, përbërësit figurativë, etikën dhe estetikën, gërshetimin e jetëshkrimit me poezinë…
Mund t`i radhisim këtu, sipas kronologjisë kohore, morinë e autorëve, të cilët shkruan, që nga dalja e vëllimit të parë të autorit Rexhep Elmazi, titulluar “FRYMËMARRJE”, në Prishtinë, më 1972 e këtej: Jusuf Gërvalla, Ali Aliu, Teki Dervishi, Agim Vinca, Jakup Ceraja, Rushit Ramabaja, Beqir Musliu, Ramadan Musliu, Zeqir Gërvalla, Rexhep Qosja, Rafet Bajrami, Mehmetali Rexhepi, Shefik Shkodra, Hasan Bunjaku, Tahir Arifi, Anton Nikë Berisha…
Secili nga këta autorë shkrimesh trajtuan poezinë dhe personalitetin atdhetar e njerëzor të Rexhep Elmazit. Për kaq sa dihet deri më tash, studimi i shtrirjeve më të gjithanshme: për kredon poetike, për motivet veç e veç e në hollësi, për erotikën, vizionet poetike për atdheun, për enigmën e jetës e të vdekjes, për lirikën refleksive, mendimtare, për pleksjet e sprovave jetësore në funksion të poezisë, për shkrirjen e ideve poetike në përmasa të filozofisë e të ekzistencës, për etikën dhe estetikën, për ligësinë dhe guximin, për sakrificën e individit për idealet e përgjithshme njerëzore, për veshjen figurative të poezisë, për ndërtimin rrokjesor e ritmik të vargut, për stilin dhe frymën e ndikimit artistik, për vendin e poezisë së Rexhep Elmazit në letërsinë shqipe dhe, për-veçimin e kontributit për jetëshkrimin e këtij poeti e atdhetari, i hasim të trajtuar me kompetencë e plotësi shkencore, në librin studimor të Prof. Mr. Tahir Arifit “Poezia e Rexhep Elmazit”, botuar nga “Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore” në Gjilan, më 2008.
Studimi i Profesor Tahir Arifit “Poezia e Rexhep Elmazit”, fillimisht temë diplome, pastaj e zgjeruar dhe e thelluar, e mbrojtur si temë magjistrature në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, është njëri nga studimet më gjithëpërfshirës, në diakroni e sinkroni dhe i argumentuar me objektivitet të plotë, pas gjurmimesh, të pothuajse gjithçka, që është shkruar dhe folur për poezinë e poetin Rexhep Elmazi.
Në librin me përzgjedhje poezish “PSHERËTIMA SHIU” nga studiuesi e shkrimtari, Profesor Anton Nikë Berisha, i publikuar nga SHB “Beqir Musliu” në Gjilan, e cila me botime të shumta autorësh të rinj dhe të përkthyer, dukshëm po i bën nder Beqir Musliut, këtij krijuesi të përmasës, jo vetëm, kombëtare. Profesor Anton Nikë Berisha për vëllimin e përzgjedhur të poezive të poetit tragjik, të botuara në dy vëllime të mëparshme, shkroi një parathënie prej katërmbëdhjetë faqesh libri standard, duke e veçuar nismën e mbarë të këtij botimi, përmes dy nëntitujve në këtë shkrim: “Poezia si art në funksion të dyfishtë” dhe “Jeta në rrjedhën e dhunës dhe të pësimit.”
Nga një distancë kohe mbi dyzet vjeçare, Profesor Anton Nikë Berisha për poezinë e Rexhep Elmazit shkruan me një gjakftohtësi të konsiderueshme, duke iu shmangur pasionit emocional të shkrimeve të miqve të poetit. Megjithatë, edhe ky studiues shkrimin e tij, dukshëm e lidhë me jetën, komunikimin “me dukuri të qenësishme të jetës, brenda tyre edhe me vështirësitë dhe pësimet.” Po sipas këtij diskursi, vijon studiuesi: “Elmazi mendonte se edhe përmes poezisë mund e duhet t`i kundërvihet padrejtësisë, mungesës së lirisë dhe dhunës që ushtronte, në forma të ndryshme, pushteti i asokohshëm në shqiptarët e Kosovës.”
Duke u përballur me rrjedhën sistematike të dhunës dhe pasojat e saj, poeti e shihte dhe ndjente pamundësinë e frymëmarrjes së lirë të njerëzve të përkatësisë së tij. Afërmendsh Atij i vështirësohej frymëmarrja. E folura e Tij, mendimi poetik, pesha e shfaqjes së trusnisë, e pakënaqësisë, e shndërrimit të saj në revoltë të heshtur, vetëdija e shqetësuar mbruhej me vargun e shfaqur përmes heshtjes. Por, heshtja nuk ngre diçka të zëshme, megjithatë ajo është lumë nëntokësor, rrjedh dhe nuk e lë krejtësisht të etur poetin. Studiuesi Anton Nikë Berisha e kap mes rreshtash këtë tipar në hije, tiparin e ngërthyer të misionit të poetit të censuruar. Andaj, kushtëzohet që porosinë e tekstit poetik ta ndërtojë me copëra, me pjesë, nën syprina. Ideja gjallëron mes rebusesh dhe, aty-këtu ngre kokë gjendja e rëndë, gjendja që lyp shtigje në poezinë e Rexhep Elmazit. Mandej, rebelimi i heshtur, duke u kujdesur për tërësinë e miqve, shtron gjakimin për gjetjen e një gjuhe të atillë poetike të stilit ngreh e mos e këput.
Në vështrimin përgjithësues të Anton Nikë Berishës për poezinë e Rexhep Elmazit, hetohen saktë përmasat e ndrydhura të nëntekstit poetik, i ngërthyer në figurat jetike, të cilat poeti me ngulmë i gjakonte si: dashuria, e vërteta, vuajtja, kënga, domosdoja e qëllimit, sakrifica. Tek dashuria e poetit ngërthehet edhe shtresimi tjetër ideor… Çfarë? Brenda dashurisë identifikohet liria, ndërsa brenda lirisë vegjeton dashuria, që në këtë tipologji poetike ndërthuren si koncepte thelbësore të qenësisë etike, etnike, filozofike, estetike dhe shoqërore.
DYSHJA POETIKE: REXHEP ELMAZI-BEQIR MUSLIU
Në komunikimet përmes ndejave e takimeve të shkurta ose paksa më të gjata, me krijuesit e pasionuar të artit letrar, si i ri doja që t`ua shfaqja kureshtjet e mia me aq diapazon që zotëroja, kryesisht për të fshehtat e shkrimit artistik, ose për poetë, të cilët kishin bërë emër në letrat shqipe. Tek ndonjëri sish nuk dilte lehtë fjala, ose kur artikulohej diçka, fjalës, pohimit a mohimit të akëcilës ndodhi a ngjarje, i shfaqej vetëm syprina. Shpesh shtresimet nën syprinë nuk prekeshin ose kapërcehej mbi to shkaras. Ndoshta heshtja ruhej për shkrimin e tyre? Menjëherë i kthehesha vetvetes, me dyshimin se nuk kisha arritur të isha peshkatar i durueshëm, për t`i kapur idetë sikurse peshqit në liqe. Pastaj, më bezdiste heshtja e njërit ose tjetrit dhe, në çast më zbehej simpatia për ndonjërin prej tyre.
Në kontaktet paksa më të shpeshtuara, e shihja të arsyeshme një masë të qasjes më me takt, kundruall poetit të përvuajtur Rexhep Elmazi. Se si më vinte kujtesa dhe ma shpalonte poezinë e Tij: “Bisedë me poetin”:
“Poetin kur e takon në rrugë
mos ia mësyj ta ndalësh për ngutë…
… … … … …
Mund ta shohësh duke folur me barin
më lehtë se sa me mua e me ty
duke folur me shtazën me lumin me pyllin
me retë e zeza me vetëtimën, bubullimën
që i rrinë ditës si kasketë mbi sy
në natën e zezë tek ndonjë skutë e saj
për të gjitha këto neve na e ka ëndje fjala e tij”
Meqë i njihja që të dy poetët: Rexhep Elmazin dhe Beqir Musliun, dyshen më përfaqësuese të artit letrar të Gjilanit, ndonëse përfaqësimi i trevës nuk lidhet me përmasën e vlerës, mirëpo, qasja e drejtpërdrejtë me këto dy figura, më jepte shkas për të përftuar diçka jashtë leximit në të përdymuajshmen letrare “Jeta e re.”
Me gjithë modestinë e tyre dhe bezdinë time, pas ecejakesh arrija, që kur shtrihej heshtja mes meje dhe Beqës, ose mes meje e Rexhës, lexoja treguesin e peshores… Si? T“i lërja në qetësinë ose në kundrimet e tyre të vlimit të jetës. Ata komunikonin me heshtjen e tyre krijuese. Një lexim të tillë të heshtjes mes nesh, në ndejat me Rexhën e Beqën, heshtja e kishte futur në ngërthesat e veta, ndaj mëtoja t`i zbërtheja në mënyrën time të zbërthimit, e cila mund të mos ishte më e thella dhe më e sakta. E folura spontane me shkrimtarin Beqir Musliu doli e frytshme, por ndonjëherë jo aq e këndshme. Stili i gjykimit kritik për mënyrën time si e perceptoja botën, jetën, të shkruarit, kohën djerrë, Beqa kritikën ma drejtonte troç, sikurse t`i prekësh buzët e gjuhën me damarët e specit të qëruar djegës. Sinqeriteti nuk ishte krejtësisht i ëmbël! Përplasjet e ndjenjave të sinqerta me Mikun e letrave ishin djegëse. Mes asaj përplasjeje të sinqeritetit tek vetëdija naive, përkohësisht hyri ftohja. Mirëpo, shpejt dimrin e atij acari e ngrohu behari, blerimi i çiltërsisë.
Poeti i hermetikes së zbërthyeshme Beqir Musliu, në qasjen ndaj vlerave të papërmbushura artistike ishte tejet kritik. Dua të nënvizoj një fakt: jo njëherë e kam dëgjuar t`i citonte vargjet e pëlqyera të Rexhep Elmazit. Thoshte: kësaj poezie as mund t`i heqësh, as t`i shtosh diçka tjetër!
Madje, në një rast, në trajtë të shumësit më pati pohuar: “-Si po mendoni ta njihni jetën, pa e provuar burgun e saj?”
Retorika e kësaj pyetje hipotetike e përvojës së Poetit, ngërthente kushtëzime të tjera të mjedisit të atëhershëm, me ajrin dyshues të atmosferës politike.
POEZIA E ANTITEZAVE
Duke lexuar vëmendshëm poezinë e Rexhep Elmazit, shohim tejpërtej se si e përshkojnë antitezat dhe kontrastet e theksuara ideore, figurative, madje aspak nuk të lodhë opozicioni i tyre edhe brenda një poezie të vetme, sikurse në poezinë “Atyre që s`u dihet varri dot”:
Antiteza e parë :
“Atyre që s`u dihet varri dot
por emrin ua mësojmë që në moshën pesëvjeçe
dhe busti u rri në krye të odës
si anëtar nderi i vatrës
tre hapa kanë bërë në jetë
në dje
në sot
në të nesërmen
Dhe aq shumë janë shkrirë në jetën e vet
Saqë për varr asgjë s`u ka mbetur
Antiteza e dytë:
Ata që flenë nën varre mermeri
Por që për ta s`dëgjojmë as për njëqind vjet
Që kanë mbushur përplot një gropë të madhe
Me trupin e tyre të majmë, kaba
Dhe që u është zhdukur emri bashkë me borën e parë
Në jetën e vet kanë bërë veç një hap
Në të sotmen!”
Idetë poetike dalin nga sprovat jetësore të poetit Rexhep Elmazi. Ato përjetësojnë përballje të kalueshme ose të pakalueshme, lënë gjurmë të thella, ngecin por, nuk përulen, vijojnë të ngrenë vertikalen e ekzistencës, duke i veshur qenësores së karakterit të njeriut veti: të qëndresës, të durimit, të sakrificës, të dinjitetit, të besimit për ngadhënjimin e idealeve, mundësinë e përmbushjes së etnisë në hapësirën e para ardhësve të saj, pa tutorë, pa xhandarë, pa ndëshkime për kultivimin e identitetit e të mirëqenies në tokën e të parëve. E gjithë jeta e përballjeve me superstrukturën shoqërore-politike, me natyrën e dukuritë e natyrës “shtrihet për gjatësi” mes kontrastesh: “të rrahur me shiun e gëzimit/ dhe breshrin e hidhërimit.”
Mes tezash e anti tezash jeta e individit por, dhe e gjithë superstrukturës njerëzore, vihet në veprim, nxjerr në pah kënaqësinë, mllefin, pajtimin, mospajtimet, drejtësinë e padrejtësinë, hidhërimin, brishtësinë, egërsinë e heroizmin, urtësinë, ligësinë, të madhërishmen, të bukurën dhe tragjiken. Heroi lirik i poezisë së Rexhep Elmazit, për gjithçka të mohuar, që i përkiste natyrshëm përfaqësimit Tij, del i sprovuar rëndë, duke u radhitur në anën e kategorisë sakrifikuese. Poezia e këtij poeti i rreket trajtimit të sakrificës burrërore. Kjo sakrificë jetësore dhe jehona e saj poetike zbërthen nota mallëngjimi, por, jo nota dëshpërimi; ngërthen e zbërthen karakter stoik, por, asnjëherë shprehje pendese, as vajtimi për udhë-rrëfimin misionar… Antitezat e poezisë Tij vinin nga përditshmëria dhe, ngrehnin dukuri të rënies morale; ato hasen mes të “heshturish”, aty ku zgjerohej amullia e pozitës kombëtare. Andaj, Ai ngre antitezën e mos-heshtjes për barbarizmat e strukturës shtetërore. Për shtresimin e të heshturve në shoqërinë shtypëse, Ai solli përkufizimin poetik: “Janë pa ngjyrë e pa yndyrë.”
Një përkufizim i tillë reflektohej nga poetika e poezisë vepruese dhe, piketonte pozitën e mosbindjes dhunës shtetërore antishqiptare. Pra, në subjektin varg-thurësh vegjeton dhe lëshon shtat një etikë e ngjalljes së antitezave, e papajtueshme me status quo-në; poezi që nuk ndjehej komode në “kullën e fildishtë”, por i jepte zë e kahe jetës për gjallërimin e saj, për ta ndryshuar gjendjen e amullt, statusin e robit.
Në poezinë “Uji i vdekur” poeti apostrofon varfërinë shpirtërore të shtresimit pa ideale, mbytjen e kohës në bjerrakohësi, psikologjinë e mjedisit:
“duke ofsharë pse jeta është kaq e gjatë
edhe kur mbi shpinë s`kanë asgjë”
“ M`u tek një gur ta hedh në bërrakë
të shprush diçka në atë qetësi
por guri sapo mbërriti në fund
asnjë valë më nuk u lëkund”
Matja e pulsit shoqëror të gurit të hedhur në “bërrakë”, është një kapje e hollë simbolike e gjendjes dëshpëruese, e amullisë së pistë, ngaqë prova e zgjimit të valëve, nuk shënoi asnjë lëvizje valësh në atë ujë të amullt. Gjendja e tillë e “vetëdijes së fjetur” tek poeti i natyrës së zgjuar, shton peshën e rënduar të brengës. Interesant: as në këtë puls letargjie të jetës, në fjalësin poetik të poezisë nuk e shohim shprehje dëshpërimi!
Diskursi ynë përkitazi rolit të poezisë, që të komunikojë me jetën dhe qenësinë e mjedisit të vet social, përkon me pohimin e shtruar të Profesor Anton Nikë Berishës, në parathënien me poezi të zgjedhura nga opusi i Rexhep Elmazit në librin “PSHERËTIMA SHIU”: “Pra, poezia nuk duhet të jetë e shkëputur nga dukuritë e jetës dhe të veprimit të mjedisit shoqëror ku ajo lindi, po duhet t`i shërbejë dhe të ndikojë para së gjithash në pjesëtarët e atij mjedisi”
Shkëputja e këtij citati nuk ka për qëllim ta theksojë në mënyrë të përsëritur lidhjen e ndikimin, komunikimin dhe shërbimin e poezisë mjedisit, që e lindën atë; por njëherësh të tërheq vëmendjen se sot në botën e letrave, poezisë i jepen edhe role të tjera funksionale, që do të na nxirrnin nga konteksti i këtij shkrimi, nëse do të thelloheshim në rrymat e poezisë bashkëkohore.
Kur flasim për poezinë e Rexhep Elmazit, prore kemi parasysh gamën e gjerë të motiveve, të temave e prekjeve të imëta nën ato, shtruarje dukurish parësore për njeriun, për vlerat e larta, që i përkasin t`i arrijë njeriu i Tij në jetë; asaj jete së cilës i mungojnë postulatet themelore si: mirësia dhe urtësia, paqja e lumturia. Poeti njeriun e projektit Tij etik e do të pajisur, së brendshmi me vetëdije për çiltërsi, peshorja e së cilës nuk lejon të anojë kahes së egos vetjake e të padrejtësisë. Gjithashtu, brenda unit Tij të pastër njerëzor mëtonte të zotëronte ndërgjegjja, që të ishte më e fortë se ligji, se sa drejtësia e paguar. Kësisoj, në ndërgjegjen e poezisë Tij, mes dy kaheve të kundërta, antitetike, luftojnë antitezat: “njëri ngreh nga krimi, tjetri nga nderi” (Dikush flet brenda meje). Pashmangshëm këtu poezia vihet në shërbim të etikës njerëzore.
TRINOMI I SHKRIRË I POEZISË
Shtyllat konceptuale ose trinomi mbi të cilat ndjehet e sigurt arkitektura e poezisë së Rexhep Elmazit janë tri: Vuajtja dhe Lufta si mision i përjetshëm. Ky konstatim në këndvështrimin tonë duket paradoksal, meqë trinisë nuk i emërtohet njëra nga shtyllat themeltare… Shtylla themelore nuk mungon, por ajo është e shtrirë gjithandej ekzistencës poetike, tej “frymëmarrjes tokësore të poezisë” (Ali Aliu). Që të tre konceptet prijatare të kësaj poezie: vuajtja, domosdoja dhe lufta, janë derivate të konceptit madhor At-Dhè, që në këtë poezi nuk duket si sforcim konceptual, por gjithnjë lë të kuptohet, ose të nënkuptohet në variante e trajta të ndryshme të fjalorit figurativ, përgjatë gjithë shtjellës poetike. Brenda këtyre shtyllave të lart-nënvizuara mbështillen e zgjerohet moria e valëve të tjera koncentrike.
Diskursi artistik për poezinë që po shqyrtojmë, togfjalëshin e ngjizur At-Dhe, si të këtillë askund nuk e takon. Përse? Kjo shfaqje e autorit paraqet një veçori. E hasim veçse si ndonjë derivat togfjalëshash të shkrirë, si: “Atyre që s`u dihet varri”… Pastaj, në zbërthimin tonë të thjeshtë, jashtë këtij ndërtimi poetik, mund ta zgjerojmë e thjeshtëzojmë: Atyre që ranë për atdhe e nuk u dihet varri. Ose në variante të tjera: At-Dheu jepet edhe nëpërmjet onomastikës, toponimisë, si hidronime, si patronime e emër-vendesh, si: “Përroi që ther sytë”…
Nëse në librin e parë “FRYMËMARRJE”, botuar për së gjalli të poetit, hasen disa motive me ndjeshmëri të arealit folklorik, në asnjë cikël tjetër poezish nuk spikatet areali popullor. Na del pyetja: pse? Poeti Rexhep Elmazi nëpërmjet kulturës Tij inventive arriti, që premisat e artit gojor t`i asimilonte në stilin e Tij modern për artikulimin e artit të poezisë. Pashmangshëm konceptit themelor të trinisë të paemërtuar, si njëra nga shtyllat kulm-mbajtëse të krejt arkitekturës së kësaj poezie, i shkon për shtati veshja e rëndë e sprovës, me të gjithë përbërësit jetësor, simbolikën, qëmtimet metaforike, llojet e epiteteve, krahasimet dhe figurat tjera, të cilat e përshkojnë tejpërtej boshtin kurrizorë të kësaj ngrehine poetike.
Përmes thënies poetike konceptimin vuajtje, poeti e shtrinë gjerë e gjatë, që nga lindja kur jeta nis me të qarë, deri në mbarimin e jetës, po me të qarë.
Jeta dhe poezia e Rexhep Elmazit identifikohen në lajtmotivin e vuajtjes. Vuajtja mbështjell shumësi shtresimesh, kumtimesh e kuptimesh. Nocionit vuajtje i jep shtytje e shumëfishim domosdoja; domosdoja për ta sprovuar vuajtjen në përpjekjet e pareshtura për fitimin e qëllimit. Le ta kemi të qartë, këtu vuajtja nuk nënvizohet si lëngatë, si diçka për t`u ankuar, mandej për t`ia lypur shërimin ankimit. Vuajtja është shtytja qenësore, thelbësore e filozofisë ekzistenciale; tipologjia përcaktuese e një këso poezie të regjur të sprovës njerëzore e ngjizur në artin poetik. Në çdo dashuri të vërtetë ka vuajtje, vuajtja e këtij lloji, që ndonëse djeg shpirtin e subjektit lirik me zjarrin e saj, është paradoksi i vuajtjes, që joshet nga grishja e kthimit, po në atë flakë të zjarrtë!
Tek poezia “Vetëm zemra e dashur lë shenjë”, vuajtja është trashëgimi gjenetike e njeriut:
“ Çudi: si mund ta duash atë që të djegë
Pa të cilën s`mundesh asnjë çast?!
Ndoshta ajo që vërtet vlen diçka
Qenka e bërë prej zjarri që shndrit.
Dhe ai shkëlqim që mbetet pas
Ajo rrugë, ajo gjurmë e pashlyer
Qenka e flakës fuqi dhe luftë
Pa të cilën as jeta s`ka kuptim
Vuaj dhe prapë e dua jetën!”
Në tre vargësin e fundit të po kësaj poezie, poeti shtron pyetjen retorike për paradoksin e vuajtjes:
“Nëse jeta s`mundet pa vuajtje
Atëherë, përse ma kënda të jetoj?”
Sikurse të gjithë poetët e mëdhenj, të cilët dilemat jetike i lënë të pambyllura, edhe poeti Rexhep Elmazi dilemën e këtillë filozofike e lë të hapur për përsiatjet e lexuesve.
DOMOSDOJA SI FILOZOFI EKZISTENCIALE
Shtylla e trinomit që mbartë shpirti dhe kurrizi i poetit është konceptimi i domosdosë. Sinonimi i të domosdoshmes është lufta për çlirim nga robëria e gjatë. Afërmendsh poeti nuk i përket kategorisë së luftënxitësve, por, karakteri i luftës, që mëton t`ua ndërgjegjësojë si koncept çlirimtar brezit dhe brezave pasardhës është i domosdoshëm. Tek ky poet domosdoja hyn ndërmjet standardit të censurës dhe vetë-censurës. Madje, ruajtjen e kësisoj standardi e kishte të vështirë, të mos i cenonte kornizat e hekurta të shtetit gjakatarë?! Përgjimi i sillej rreth hapësirës Tij dhe, lëvizja e lirë e subjektit lirik mbikëqyrej, por, sidoqoftë Ai vë në pah mosnënshtrimin:
“Shpirti im lufton kryelartë, i hareshëm,
Dhe kështu bëhem edhe më i paepur”
Poeti vuajtjen e konceptonte si dukuri të lëvizshme dialektike, e cila vjen dhe shkon, fluturon nëpër qiell sikurse retë, sikurse dukuritë atmosferike, pra, si fenomen kalimtar. Ritmi i kësaj poetike lyp dinamikën e shtyrjes përpara të ngjarjeve dhe të ndodhive. Sprovimi i parë i subjektit lirik, ia heshti këngën e kënduar në kor me shokë dhe, tashti i mallëngjyer për heshtjen e këngës së dikurshme, sërish lyp rikthimin tek sprovat e pritura, mbase qofshin ato dhe sprovat e fundit, ngaqë e tërë filozofia është pleksur në urtinë përkufizuese:
“Vetëm një gjë dije – është e s`është veçse një kuti
Përbrenda një kutie tjetër…”
Gjithnjë në vijimin e mëtejmë të një kursi të këtillë, arti poetik i poezisë së Rexhep Elmazit kultivon domosdonë, si ndërmarrje për ta fituar të munguarën, përkundër jetë-shkurtësisë jo dhe aq premtuese. I zhveshur prej figurash, poeti shpall kursin e guximit dhe të zotimit:
“Prandaj them: ajo që më takon, unë e marr vetë
Tek e fundit edhe me zor, i gjallë a i vdekur qofsha
…
Edhe po të ish jeta më e shkurtë, prapë do ta kërkoja
Sepse diçka që më takon, do ta marr patjetër
Si nevojë, si kusht të jetës sime, si një domosdo”
Shtjellimi artistik i konceptit të domosdosë ngjitet pinguleve të pjerrëta, qoftë duke u zvarritur këmbadoras deri tek ngritja e një etike, që personazhet e saj të mos zvarriten, por të ecin burrërisht, asisoj, që me mendjet e duart e tyre të forta, t`i thyejnë paragjykimet e mitet e rreme për pathyeshmërinë e atyre, që kanë në duar çelësat dhe drynin, shkopinjtë dhe grykat e plumbit.
Poeti tërheq paralele morale të barasvlershme me okupuesin, njësoj i vdekshëm sikurse i pushtuari, duke shtruar dialektikën e ndërvarësisë të marrëdhënieve pushtues i pushtuar, si marrëdhënie të ndërrueshme dhe, jo kurdoherë statike, nëse në brendi të tyre ekziston domosdoja? Me mësymjen e domosdosë, vargjet e kultivimit lirik të guximit, i japin dorën dehjes për t`i dhënë kahe e tipare shndërrimit të lirikës në epikë, pra, në forcë epike. Kësaj vije ideore teksti zhvishet krejtësisht prej censurës e vetë-censurës dhe, lë hapur porosi për rilindjen e brezave me energji të reja, duke qenë plotësisht të vetëdijshëm se sakrifica është akti më i shenjtë i njeriut. Kjo vetëdije e frymës së vargjeve për sakrificën shpie drejt rrumbullakimit të konceptit për aktet e domosdosë:
“Bëje atë pa të cilën s`mundesh, n`e pagofsh dhe me jetë
Ti pastaj atë e arrin edhe në mos e gëzofsh vetë!
Kujtoj se jeta nuk është dhe kënga jonë e fundit
Nëse kënga ka ekzistuar njëherë
ajo struket po nuk zhduket”
Koncepti At Dhe shkrihet në morinë e togfjalëshave poetikë, si: kujtimet që therin, vatër e rimëkëmbur, “Grumbull gurësh/ grumbull rrashtash”, “Vetëm dheu do t`ma mbyllë këtë gojë”, (titull i poezisë kushtuar poetit Viktor Hara): “Oj, tokë, kam ethe nën qiellin tënd”, “me këngë thoshim gjithçka…”
“Ajo për të cilën unë jam zhdukur”, është njëri nga vargjet e poezisë “BORXHI YNË”, testament për dëshmorët; njëra nga poezitë e vlerësuara me çmimin e parë në konkursin letrar
të revistës letrare “Jeta e re”, të cilën censura antishqiptare e viteve të shtatëdhjeta e pati politizuar me marrje masash partiake ndaj jurisë. Vargu që dëfton dëshminë e zhdukjes, krejt i thjeshtë si kumt, mirëpo, në brendësi të tij bartë ngërthesën e një caku të madhërishëm, ngase nëpërmjet prozopopes, figurës së shpirtëzimit, flet admirueshëm për atë që zë vendin e tij, vendin e dëshmorit, përkatësisht të dëshmorëve e martirëve. Dashuria ose dashnorja e njëjësit për subjektin poetik, që ka përjetuar sakrificën, mbetet e paarritshme, rebus i paemërtuar përgjatë shtrirjes së testamentit artistik. Përse ndodh kështu? Mbase për t`iu shmangur censurës, së cilës megjithatë nuk mundi t`i shmangej, por, mendoj se poeti iu kishte larguar qëllimshëm klisheve të deriatëhershme, strukturimeve të varfra, tipologjisë së thatë ideore e figurative. Për tipin e poezisë së përkushtimeve, poezia “BORXHI YNË” bën dallimin e dukshëm në tërë poezinë bashkëkohore shqipe. Ai ndërtoi tekst të atillë, të cilit qartësia nuk ia ngufati nëntekstin, sistemi figurativ – emocional nuk e përjashtoi notën filozofike.
Ajo së cilës poeti i referohet si një vete, si një dashnore prodhimtare shumësish ideore:
“Shkelte butë mbi bar, mbi ujë, nëpër ajër
Vinte pas shpinës
Dhe unë s`e duroja dot këtë ardhje të saj me naze
të dergjesha nën hënë derisa ajo të vinte si diell”
Krijuesi është i bindur se Ajo, së cilës nuk ia thotë emrin, do të vijë dhe do ta përqafojë “tjetërkënd!” Ndonëse Ai që e gjakonte atë me aq ngulm, personazhi i shpirtëzuar, nuk do ta përjetojë përqafimin e saj “me afsh dhe gjak të ndezur.” Gjithsesi fatin e bardhë do ta gëzojë brezi tjetër. Ajo do të vijë dhe do t`i përmbush gjurmët, hapësirat, kënaqësitë në vend të Tij:
“Kryesorja, unë e kam kërkuar me aq këmbëngulje atë
Atëherë kur më duhej mua
Dhe kur mbante për mua DOMOSDONË time
Tash kur ka ardhur – le t`i kënaqë të tjerët”
Domosdoja është koncepti madhor, ku puqen mësymjet e atdhetarit, në jetën e shtrëngesave robëruese të pushtetit, me ato të poetit, si gjakim i njëjtësuar dhe jetik, si krye-qëllimi i jetës dhe i superstrukturës artistike. Pikërisht tek domosdoja e nënvizuar me shkronja të mëdha, personazhi i ndjeshmërisë dhe sprovave tronditëse dhe alter-egoja e poetit, vetëm kësisoj, të mbështjellë në sferën e domosdosë e shihnin në sfond, ndoshta, përmbushjen e qëllimeve të veta jetike?!
E PAMUNDSHMJA E MUNDSHME
Jo vetëm tek poezia testament “Borxhi ynë”, veçmas në poezinë e udhë-rrëfimit programatik “Ti e gjallë je në trupin tim”, poezia e Rexhep Elmazit yshtet nga ideja themelore e domosdosë për dashurinë. Kjo ide plotësisht vetëdijshëm e shtynë në lëvizje tërë qenien e poetit, për vetëpohimin e Tij:
“Jemi gatitur për bashkim dhe mishërim tonin
Për pandashmërinë tonë që qet flakë
Aty çdo gjë e huaj zvogëlohet dhe humbet
Ose merr ngjyrën dhe zërin e qenies sonë”
Për ta përçuar një mision, një qëllim a shumë qëllime, njeriut të idealeve i gatiten sprova nga më të vështirat drejt mësymjeve të vështira, por dashuria që brenda vetës ka lirinë:
“Kurrë viktimat s`i numëron, as dëmin që e pëson
Ajo këqyr larg qëllimin e vet për ta arritur”
E domosdoshmja poetit i shërben, qoftë për ta fituar të drejtën e vet të mohuar, qoftë për të mos lejuar tjetërsimin e saj, atë që të përket ty, që i përket përbashkësisë tënde njerëzore, etnike, etike, historisë, traditës, truallit stërgjyshorë të trashëguar, burimeve të tokës dhe, të asaj cope të relievit malorë, fushorë e ujorë në funksion të ekzistencës e të mirëqenies.
Kjo tipologji e poezisë së Rexhep Elmazit është një poezi e sprovës tronditëse të autorit; me të gjithë përbërësit e saj: kompozicionin, figuracionin, frymën, motivet, idetë, ndërthurjet e prozës poetike, mjetet e shprehjes gjuhësore të qartësisë, kontrastet stilistike, porositë filozofike…
Poezia e Rexhep Elmazit është shtruar e ndërtuar kësisoj, që tek lexuesi, përkatësisht tek çdo receptues të ushtrojë ndikim frymëzues, me mëtimin idealist të formësimit e forcimit të karakterit vetëmohues, për ta rrënjosur e shtruar përpara filozofinë e domosdosë, drejt ndryshimit të gjendjeve të amullta në rendet shtetërore komb mohuese.
Pothuajse asnjë varg, asnjë figurë stilistike në tërësinë e sistemit figurativ-emocional-ideor-etik, estetik të kësaj tipologjie poetike të Rexhep Elmazit, nuk shqiptohet dhimbja si fatkeqësi vetjake. Egoja ideore e poetit Rexhep Elmazi është shkrirë në unin poetik të së përgjithshmes, ndaj poeti thotë:
“E kam marrë guximin prej dashurisë
Vetëm atë e pranoj si ligj suprem”
Në poezinë e Rexhep Elmazit askund nuk ndjejmë shfryrje epërsie romantike, epërsi mitomani në emër të parakëve autoktonë, urrejtje patologjike kundruall të tjerëve, madje dhe kundruall ardhësve, barbarëve veriorë sllavë. Mu kjo është shenja e një epërsie, e një qytetarie dhe fisnikërie të kësaj poezie mbi barbarinë, të cilën barbaria shekullore lindore nuk ia çrrënjosi dot! E admirueshme për ndjeshmërinë e poetit dhe urtinë qytetëruese që përfaqëson Ai!
Mbi konceptin e domosdosë si shtysë e mbijetesës në këto hapësira, poeti ngre përvojën e mësimeve ontologjike. Ontologjia e jetës pikë së pari e mësoi poetin ku, si, pse, në cilën shkollë ta njihte veten? Poeti nxjerr përfundimin e pyetjeve të tilla:
“Sepse nëpër mundime e zbulova veten se kush jam…” (Ti e gjallë je në trupin tim).
Mbi postulatet e rrymave të integruara të filozofisë, poeti arriti të skaliste disa nga medaljonet më të bukura të poezisë shqipe:
Koha le të jetë sa të dojë e gjatë
një çast i saj unë prapë jam
Dielli le të jetë sa të dojë larg
pas tij unë prapë ngas
Guri le të jetë i fortë sa të dojë
Një thermi e tij unë prapë jam (DOMOSDO)
FOLJA DHE NËNTEKSTI POETIK
Çka i takon të djeshmes
lypnia nën lëkurë
Çka i takon së tashmes
lypnia nën thonj
Çka i takon të nesërmes
lypnia në sy (TOKA)
Trajta e shumësit e foljes veprore sugjeron kërkimin e njohjes në të djeshmen, në të sotmen dhe në të nesërmen. Poezia pa foljen “lypnia”, që këtu është në funksion të metaforës folje, tingëllon si epiforë. Po të mos përdorej folja e tipit epiforë, poezia do të mund të qëndronte si një tërësi elipse, e reduktuar pa foljen sugjeruese “lypnia.” Vjersha e trajtës elipse, nëse do ta shmangte foljen e shumësit të lart cituar, do të dilte e reduktuar por, pa e humbur funksionin semantik:
Çka i takon së djeshmes
nën lëkurë
Çka i takon së tashmes
në thonj
Çka i takon së nesërmes
në sy (TOKA)
POETI NË POZITAT E MATERIALIZMIT DIALEKTIK
Hezitimi në besimin për Zotin, si i vetmi arbitër i kudo ndodhur dhe i Plotfuqishëm, e shpalon dyshimin e autorit në ekzistencën e antimateries. Përsiatjet e thelluara filozofike poetit nuk ia përtrollisin enigmën e antimateries. Antimateria Zot subjektit dyshues nuk ia zgjatë dorën, as fjalës Tij nuk i përgjigjet, qoftë përmes Budës, Krishtit, ose Muhamedit; lutjet ndaj të cilëve nuk kishin kthyer përgjigje! Enigma mbeti e pazgjidhur, sado që njeriu, përkatësisht poeti përdori lutjet e shumta, urtinë, përgjërimin, duke i ngritur lavde, ditirambe, megjithatë e pësoi keq; duke mos ia parë asnjëherë atë fytyrë prej Shpëtimtari, të shpikur me shekuj nga njerëzimi, për gjetjen e ngushëlluesit të Gjithëmëshirshëm! Lajthitja shekullore poetit i solli hidhërimin dhe zhgënjimin. Përse? Pikërisht për pamundësinë për t`iu përgjigjur dhimbjeve njerëzore e të faunës, shpirtrave në vuajtje, thirrjeve për mëshirë, shpëtim e drejtësi, për begati e paqe… Në këndvështrimin tjetër: lënia të paditur, të ligshtë, pa forcë e intelekt, sipas modelit të enigmës Zot…? Kjo enigmë njerëzimit ia përcaktoi mundësinë “edhe gjysmë -Zot që di të mahnitë, edhe gjysmë – kafshë”[16]
“Nga të gjitha këto megjithatë mësova
të shikoj sall vetën dhe t`i besoj sall vetës
dhe as në qiell, as në tokë, as në varr, as pastaj
nuk ka forcë tjetër ku të mbështetesh
Në mungesën e perëndisë thashë
bëhu vetë një Zot i vërtetë!”[17]
Një përmbyllje e këtillë e poezisë “Bëhu vetë si një Zot i vërtetë”, e cila vargun përmbyllës të përsiatjeve poetike-filozofike, e vendosë në titullin e poezisë së dyshimit, të cilës i shtrohen dilema ekzistenciale, lajthitje etike, paragjykime për përcaktimin e fatit të njeriut nga lart, nga antimateria.
Poeti vë në sprovë mëdyshjet për pafuqinë e zbardhjes së enigmave për Zotin dhe Perëndinë. Në këtë mënyrë, Ai me filozofinë e Tij poetike i kundërvihet filozofisë idealiste. Reflektimi për kthimin nga vetvetja, poetin Rexhep Elmazi e pozicionon në tabanët e filozofisë materialiste. Sipas poetit: materia është esenca. Kuptohet fare qartë, botëkuptimi i këtij poeti përshkohet prej botëkuptimit materialist. Aty-këtu në frymën e ideve të shekullit njëzet, vërehen edhe ndikime pikëpamjesh të ekzistencializmit dhe, madje segmente të stoicizmit nga Antika.
UNITETI STILISTIK
Vështruar nga pikëpamjet e stilistikës, si disiplinë mes dijes dhe gjuhës letrare, poezia e Rexhep Elmazit, ajo sasi që i shpëtoi censurës djallëzore, për shumë segmente stilistike e gjuhësore mbetet unike. Shkrimet e këtij shkrimtari gjuhën e kanë të pastër, thëniet nuk e ndërlikojnë kumtin artistik, kuptimi nuk mbetet peng i figurave hermetike, shprehja nuk ndjek oscilime për kërkime eksperimentale. Në të gjitha poezitë frymon ndjeshmëria e thellë, tronditëse e përjetimit dhe përjetësimit të ngjarjeve, të një brezi, që mëtonte të thyente ngado akujt e trashë të tabuve. Stili i poezisë Tij meditative buronte nga zemra e mendja me dije ontologjike për qenësinë, për njeriun e mësymjeve të mëdha e të parandjenjave të sakta për tragjizmin, të pritshme për rrethanat… Dhimbja si kategori njerëzore shndërrohet në përjashtuese e disfatës dhe e konotacioneve disfatiste. Megjithatë, vargjet i përshkon nota kalimtare e një mallëngjimi të natyrshëm, pa sforcim të pozës për lektisjet e autorit.
Pena e këtij shkrim-kërkimtari është eksploruese e natyrës, e enigmave dhe fenomeneve të universit; gjithnjë me etjen e kureshtjeve për depërtime sferave të panjohura, me fjalorin e një arti, i cili me dritën e tij depërton edhe në skutat më të errëta të ndërdymes. Së fundmi s`ka pse të mos i tumiret pohimi Bufonit se: “Stili është njeriu vetë.”
KONTRIBUTE SHKRIMORE PËR REXHEP ELMAZIN
Poeti Rexhep Elmazi ende mbetet në fondin e kujtesës letrare, si cak i kureshtjeve të lexuesve dhe i studiuesve. Janë të rrallë shkrimtarët, sikurse Rexhep Elmazi, tek të cilët jeta dhe arti pleksen kaq shëmbëllyeshëm, pashkëputur njëra nga tjetra.
Bashkëkohësit, miqtë dhe studiuesit e krijimtarisë Tij poetike, në shkrimet e tyre shprehën mbresa dhe konstatime, premisa analizash e silogjizma, përkufizime analitike e sintetike. Le t`i paraqesim këtu disa nënvizime citatesh të shkurta, për poezinë dhe poetin Rexhep Elmazi, shkëputur nga moria e autorëve, por jo gjithëpërfshirës, sipas kësaj kronologjie:
Ali Aliu: në Rilindja, Prishtinë, më 1 dhjetor 1973, botoi shkrimin përkufizues “Fryma tokësore e poezisë”, për vëllimin me poezi “Frymëmarrje.”
Agim Vinca: njërin nga shkrimet për poezinë e Rexhep Elmazit e titulloi: “Arti i guximit.”
Shkrimtari Mehmetali Rexhepi: në vëllimin “Agurrona” (me grup autorësh), botim i Klubit letrar “Rexhep Elmazi”, në Gjilan, më 1993; publikoi qasjen gjithëpërfshirëse “Tharmi filozofik i një poeti.”
Shkrimtari dhe gazetari Rushit Ramabaja në gazetën “Bujku”, më 16 prill të vitit 1994, botoi shkrimin “Poeti që s`i mjaftoi jeta.”
Gazetari dhe veprimtari kulturor Hasan Bunjaku, në gazetën “Bujku”, Prishtinë, më 23 maj 1994, publikoi qasjen e tij për poezinë dhe poetin Rexhep Elmazi: “Simbiozë lapidare e krijuesit dhe atdhetarit.”
Miku i poetit Rafet Bajrami në gazetën “Bujku”, Prishtinë, në maj të vitit 1995, publikoi njërin nga tre artikujt e tij “Poeti lirik e meditativ.”
Poeti atdhetar Zeqir Gërvalla, miku i ilegales dhe i bashkë-vuajtjeve, i dhimbjes së përjetshme për Rexhep Elmazin, në gazetën “Bujku”, Prishtinë, më 25 maj të vitit 1995, publikoi përkushtimin e tij shkrimor “Poeti i frymëmarrjes së qiellit e tokës arbërore.”
Shefik Shkodra në “Zëri”, Prishtinë, më 18 shtator 2004, publikoi qasjen e tij shkrimore “I ngujuar në oborrin e vetmisë.” Ai pos tjerash për poezinë “Borxhi ynë” vlerësoi: “Vargje pa hermetizëm e pa terma të tepruara; saktësisht krijim e ligjërim në shqipe.”
Tahir Arifi në studimin gati shterues “Poezia e Rexhep Elmazit”, libër i botuar nga “Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore”, në Gjilan, më 2008:
“Njeriu është epiqendra e kësaj poezie, shikuar në të gjitha raportet e mundshme; njeriu është alfa dhe omega e poezisë së poetit të pangopur me jetë, dashuri, kureshtje, gatishmëri për veprim e sakrificë. Poezia e Rexhep Elmazit është poezi mendimtare që preokupohet më shumë me përmbajtjen artistike se sa me realizimin e formës. Vargu i lirë, shpesh i afërt me prozën poetike; pothuaj të gjitha strukturat rrokjesore të metrikës si dhe figuracioni shumë ekspresiv, e bëjnë këtë poezi më të afërt me lexuesin të cilit i drejtohet”
Anton Nikë Berisha në parathënien “Poezi që përjetëson kohën kur u krijua”, përkitazi publikimit të vëllimit me poezi të përzgjedhur nga ai “Psherëtima shiu” të Rexhep Elmazit, botuar nga SHB “Beqir Musliu”, në Gjilan, më 2018:
“Dukuria e drejtpeshimit të dy të kundërtave( apo më shumë) përligjet edhe kur poeti Elmazi flet për lirinë dhe dashurinë, që ndërlidhen dhe shkrihen në njëra-tjetrën; sa fiton përshtypjen se flitet për të dashurën, bindesh se është fjala për lirinë. Ç`është e vërteta, liria, gjakimi për të, që përbën qenësinë dhe rrafshin thellësor të poezisë së tij dhe nënkupton pavarësinë e veprimit e të gjallimit, ndërlidhet me dashurinë, me dashurinë e një përmase sa të gjerë aq të thellë. Me dashurinë, përkatësisht me lirinë poeti nuk ngopet asnjëherë:”
“Oh, me gjithçka në botë ngihem përpos me dashurinë
Që më sjell lirinë”
(Ti je e gjallë në trupin tim)