Zyrtarisht fillon Rishikimi i Teksteve Shkollore, Nagavci: Është prioritet, do të përfundojë shpejt
Instituti EdGuard se bashku me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, kanë prezantuar zyrtarisht fillimin e procesit tw Rishikimit tw Teksteve Shkollore.
Aty u tha se struktura e tekstit shkollor është në përputhje me kurrikulën e re të bazuar në kompetenca, ndërsa rritja e vetëdijesimit për rëndësinë e teksteve shkollore cilësore, vazhdon të jetë prioritet i MASHTI-t.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se rishikimi i proceseve shkollore ka qenë prioritet i saj dhe u zotua se ky proces do të përfundojë sa më shpejt.
“Që dy vite ne kemi marrë vendim për përdorimin e tekstit alternativ duke dhënë mundësi që në shkollat tona të jenë këshilla profesionale dhe tashmë veç e kemi finalizuar Ligjin për Tekstet e mjeteve mësimore i cili vitin e kaluar është votuar në Qeveri dhe është në proces në Kuvend”.
“Pritshmëritë dhe vëmendja me të drejtë të atyre që merren me çështjet e arsimit është një vëmendje tek cilësia e teksteve mësimore, andaj edhe pritshmëritë janë të mëdha që besoj se jo vetëm të përfshihen të gjithë ata që kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së teksteve mësimore por po ashtu rriten edhe pritshmëritë në raport me punën që do ta përmbyllim suksesshëm”, tha tutje ministrja.
“Është e qartë se për vite të tëra, tekstet cilësia e teksteve shkollore në vendin tonë është përcjellë me sfida të shumta, përfshirë edhe aspektin përmbajtësor edhe atë teknik por edhe në aspektet tjera pedagogjike”.
E drejtori i Institutit Edguard, Rinor Qehaja, tha se qëllimi i rishikimit të teksteve shkollore është rritja e vetëdijes për rëndësinë e teksteve.
“Rritja e vetëdijesimit për rëndësinë e teksteve shkollore cilësore. Ofrimi i evidencës empirike se përmirësimi i teksteve shkollore është ndërhyrje kyçe në përmirësimin e cilësisë së arsimit. Krijimi i qëndrimeve pozitive dhe pro aktive në radhët e palëve të interesuara të përfshira”, tha Qehaja, teksa prezantoi edhe objektivat e Rishikimit në planin afatshkurtër.
“Mbledhja e të dhënave specifike për cilësinë e teksteve shkollore aktuale. Identifikimi i fushave që kërkojnë përmirësim. Ofrimi i rekomandime për ndërhyrje të fokusuara në tekstet shkollore ekzistuese”, tha tutje Qehaja.
Ai tha se fazën e parë, procesi i rishikimit do të bëhet për tekstet e gjuhës shqipe dhe të matematikës, ku nxënësit do të jenë nga klasa e parë deri të nëntën.