Universiteti Publik “Kadri Zeka” organizoi Punëtori për Hartimin e Planit të Veprimit për Barazi Gjinore 2026-2029
Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, në bashkëpunim me Programin SHER – Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim, organizoi një punëtori të dedikuar për hartimin e Planit të Veprimit për Barazi Gjinore.
Ky aktivitet u zhvillua me qëllim të promovimit të barazisë gjinore dhe integrimit të perspektivës gjinore në të gjitha aspektet e funksionimit të Universitetit.
Fjalën hapëse e mbajti Prof. Dr. Artan Dërmaku, Rektor i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, i cili theksoi se angazhimi i universitetit për barazinë gjinore është i pandashëm nga misioni i Universitetit për një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës.

Më pas, Z. Nehat Dervishi nga Ekipi i Programit SHER, prezantoi metodologjinë dhe analizën e situatës në Universitet, ku tha se metodologjia e përdorur synon të identifikojë mundësitë dhe sfidat reale për të avancuar barazinë gjinore në Universitet.

Prof. Asoc. Dr. Voglushë Kurteshi, Prorektore për Zhvillim Akademik dhe Cilësi tha se sigurimi i cilësisë dhe respektimi i parimeve të barazisë gjinore janë baza e zhvillimit të një mjedisi akademik të drejtë dhe gjithëpërfshirës.

Punëtoria përfshiu katër sesione kryesore të udhëhequra nga Prof. Ardiana Gashi, Eksperte e Programit SHER.

Plani i Veprimit për Barazi Gjinore 2026-2029, synon të krijojë një universitet të barabartë gjinor, duke vendosur shtyllat kryesore dhe objektivat strategjike, të cilat do të shërbejnë si bazë për objektivat specifike të periudhës 3-vjeçare, të përcaktuara sipas parimit SMART (Specifik, Matshëm, Arritshëm, Realist, dhe me Afat).
