UKZ intensifikon bashkëpunimin me institucionet arsimore në Gjilan
Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, së bashku me Prodekanin Prof. Ass. Dr. Blerim Haziri, realizuan një vizitë pune në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjilan.
Delegacioni universitar u prit nga Drejtori i Arsimit, Jeton Rexhepi, si dhe nga zyrtari Samir Berisha, me të cilët zhvilluan një takim të përbashkët pune.
Gjatë takimit u diskutua për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit dhe Komunës, me fokus të veçantë në zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e arsimit dhe ngritjes profesionale. Në këtë takim, u shqyrtuan mundësitë që stafi akademik i universitetit të ofrojë trajnime dhe mbështetje profesionale për mësimdhënësit e arsimit parauniversitar, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe përafrimin me standardet bashkëkohore pedagogjike.

Po ashtu, palët diskutuan për krijimin e hapësirave bashkëpunuese për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta me nxënësit e shkollave të mesme, veçanërisht me maturantët. Këto aktivitete synojnë orientimin akademik dhe profesional të tyre, si dhe njohjen më të afërt me programet studimore të universitetit, duke ndihmuar në një tranzicion më të strukturuar drejt studimeve të larta.
Të dyja palët u dakorduan që të intensifikojnë bashkëpunimin përmes shfrytëzimit të kapaciteteve dhe ekspertizës institucionale, në funksion të zhvillimit arsimor dhe interesit publik.
