
Trump dhe Zelensky takohen në funeralin e Papa Françeskut, Shtëpia e Bardhë: Takim produktiv
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka takuar presidentin Ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Vatikan, në prag të ceremonisë së varrimit të Papa Franceskut.

Reuters duke cituar një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë, raporton se ky takim mes dy presidentëve ka qenë produktiv.
Steven Cheung, drejtor i komunikimit i Shtëpisë së Bardhë, tha se Trump dhe Zelenskiy “u takuan privatisht sot dhe patën një diskutim shumë produktiv”.
Takimi u mbajt në një kohë kritike të negociatave që kanë për qëllim t’i japin fund luftimeve mes Ukrainës dhe Rusisë, teksa detaje të tjera rreth takimit nuk janë bërë publike.
Presidenti amerikan është duke iu bërë presion të dyja palëve që të pajtohen për një armëpushim, tek ka shtuar të premten se bisedimet ndërmjet të dërguarit të tij, Steve Witkoff, dhe lidershipit rus kishin qenë produktive.
Takimi në Vatikan është i pari që prej përplasjes që ndodhi në Zyrën Ovale mes Trumpit dhe Zelenskyt, në fund të muajit shkurt. Pas përplasjes, SHBA-ja i kishte pezulluar përkohësisht ndihmat ushtarake dhe ndarjen e inteligjencës për Ukrainën, megjithëse ky vendim ishte ndryshuar më vonë.
