Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” takon Krytarin e Komunës së Gjilanit
Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” viziton Komunën e Gjilanit
Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka vizituar Kuvendin Komunal të Gjilanit, ku është pritur në takim nga kryetari i Komunës, Alban Hyseni.

Gjatë këtij takimi është diskutuar për mënyrat e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional, me theks të veçantë në kontributin e përbashkët për ngritjen e cilësisë akademike, përkrahjen e studentëve si dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e arsimit dhe shkencës.
Me këtë rast, rektori Dërmaku e ka uruar kryetarin Hyseni për zgjedhjen edhe për një mandat të ri në krye të Komunës së Gjilanit, duke i dëshiruar suksese në realizimin e objektivave zhvillimore për qytetin.
“Universiteti Publik “Kadri Zeka” mbetet i përkushtuar që përmes bashkëpunimit me institucionet lokale të kontribuojë në ngritjen e cilësisë akademike dhe në krijimin e mundësive më të mira për studentët tanë. Bashkëpunimi me Komunën e Gjilanit është thelbësor për realizimin e këtyre qëllimeve,” u shpreh rektori Dërmaku.

Nga ana e tij, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, falënderoi rektorin dhe stafin e universitetit për vizitën, duke ritheksuar rëndësinë e arsimit në qeverisjen lokale.
“Arsimi vazhdon të jetë në mesin e prioriteteve kryesore të qeverisjes sonë, andaj do të vazhdojmë të angazhohemi për studentët tanë dhe stafin akademik, si dhe për thellimin e bashkëpunimit me Universitetin Publik “Kadri Zeka”,” tha kryetari Hyseni.

Të dy palët u pajtuan se takime të tilla janë të domosdoshme për koordinim më të mirë dhe për zhvillimin e iniciativave që ndikojnë drejtpërdrejt në avancimin e arsimit të lartë në Gjilan.
