Rektori i UKZ-së priti në takim udhëheqës të AShAK
Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka pritur në takim udhëheqës të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Nënkryetarin akademik Fejzullah Krasniqi, si dhe Sekretarin e Seksionit të Shkencave të Natyrës, Enver Hamiti, anëtar korrespondent.
Gjatë këtij takimi u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, me theks të veçantë në zhvillimin e kërkimit shkencor, projekteve të përbashkëta akademike dhe avancimin e cilësisë në arsimin e lartë.
Me këtë rast, Rektori Dërmaku theksoi se Universiteti Publik “Kadri Zeka” është i përkushtuar në ndërtimin dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet më të larta shkencore të vendit, duke e vlerësuar Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës si një partner të rëndësishëm në proceset akademike dhe shkencore.
Nga ana e tij, Nënkryetari i AShAK-së, akademik Fejzullah Krasniqi, shprehu gatishmërinë e Akademisë për të bashkëpunuar me Universitetin Publik “Kadri Zeka”, duke theksuar rëndësinë e krijimit të urave të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe universiteteve publike në funksion të zhvillimit shkencor dhe arsimor të vendit.
