
Nexhat Rexha: “Vjeshta letrare e Gjilanit”/2025 – Me botime të reja dhe vlera të mirëfillta artistike
“Vjeshta letrare e Gjilanit”/2025

– ME BOTIME TË REJA DHE VLERA TË MIRËFILLTA ARTISTIKE

Shkruan: Nexhat Rexha, krijues në prozë e poezi & kritik letrar
1.
Vjeshta letrare e Gjilanit nga viti në vit po hapëron në ruajtje të krijimit të traditës letrare. Po këtë vit Vjeshta letrare po shënon aktivitetin e saj për të 16 herë. Në këto vite vjeshta letrare ka vijuar në kontinuitet vlerat e saja brenda një viti me botimet e veta.
Gjithnjë duke e ruajtur frymën e afirmimit të vlerave të dalluara me veprat e botuara, këto vlera artistike nuk janë të mbyllura vetëm brenda një qarku të ngushtë shkrimtarësh, po këto vepra të botuara kanë shtrirje të gjerë në arealin e treveve shqiptare. Njëkohësisht botimet e Ars Clubit “Beqir Musliu”, kanë krijuar shtrirje të gjerë në disa zhanre të botimit të veprimtarisë së vet botuese.
Edhe në këtë tetor 2025, po e hapim aktivitetin e Vjeshtës letrare të Gjilanit në fokus të krijimtarisë poetike, për veprat e botuara brenda këtij viti. Vepra këto që karakterizojnë në faktorizim të avancimit të fjalës artistike dhe si të këtilla ato kultivojnë , rrjedha të korrespondimit nëpër kohë e ngjarje , të cilat ndërtojnë e ngritin aktualitetet shoqërore në mes kulturave.
Në këto identifikime krijohet e vazhdohet, ruhet edhe aktiviteti i Ars Clubit “Beqir Musliu”, si reciprocitet dhe teori letrare brenda një qarkut poetik në shtrirje e pasurim të mëtejmë të jetës kulturore në Gjilan.
Njeriu dhe ekzistenca nëpër kohë, klasifikojnë e përmbushin kriteret e vlerave përmes zhvillimit, si dukuri dhe orientim filozofik në ndërtim të sotmes kah e nesërmja. Duke ndërtuar ura në mes artit letrar, të cilat ruajnë e bartin frymën e aktualiteteve në mes kulturave të ndryshme, siç është edhe njëri nga librat e botuar brenda këtij viti, “Yllësi poetike, që është pasurim i botimeve të veçanta të Ars Clubit “Beqir Musliu”.
Në bashkëveprim e koordinim në këtë fillim të këtij aktiviteti letrar-kulturor, po shqyrtojmë disa nga veprat poetike që u botuan gjatë këtij viti., për të zgjuar kureshtjen për lexim më të thelluar, si nga lexuesi ynë ashtu dhe nga kritikët tanë të letërsisë
2.
Poetika gjithnjë është në kërkim të jetëqenies ekzistuese dhe si frymim e frymëzim për t`i pasqyruar ditët e netët e këtyre dy decenieve të para të këtij shekulli.
Poezia si kontinuitet e realitet i botës imagjinative dhe konkretizimit të botës reale krijon dhe konfirmon njeriun dhe kohën e tij. Në këtë kontekst vijnë edhe veprat poetike të tre poetëve gjilanas.
Muhamet Halili: ’KASAFORTA POETIKE”
Arti dhe njeriu në poezinë e Muhametit , karakterizojnë në orientimet e dukshme të dashurisë njerëzore. Poezitë e këtij vëllimi kanë shtrirje kërkimtare në realitetet e determinuara brenda faktorizimit kohë e njeri. Titulli i librit “Kasaforta erotike’, konfiguron në kureshtjen zbuluese, përse kjo erotikë është konvertaur në një emërtim të dalluar.
Vetë përmbajtja poetike e poezive është e dallueshme, dhe si e këtillë ajo shton kërkesat e brendshme . Poezia e dashurisë, është njëra ndër llojet e poezisë lirike që ka jetëgjatësinë më të njohur në shtrirje të gjerë. Ajo ka bashkëjetuar në të gjitha fazat e zhvillimit njerëzor.
Muhamet Halili, duke e njohur botën kërkimtare, ka zhveshur petkun e dukshëm në dukje të shpirtit njerëzor. Kështu, poezia e këtij vëllimi në lexim të parë të ofron pamje dhe përjetime të lehta. Mirëpo, ajo në realitet brenda thellësisë poetike ka përjetime më të thella, të cilat janë universale dhe i japin lexuesit ndjesinë e përjetimit të brendshëm të melodisë së dashurisë, si relikt dhe rrufe pushtuese, brenda botës njerëzore.
Në këtë vëllim poetik, Halili ka të ndërlidhura ndërtimet poetike, të dukshmen, të padukshmen ëndërrimtare të dashurisë në kasafortën e pritjeve të gjata, të cilat vijnë e çlirojnë okupimin e skenave të pritjeve nëpër ëndërrimet e vezullimit të hënës kur eklipsi e liron hënën dhe ajo pastaj të jep shkëlqimin e parafytyruar në buzëqeshjen për faljen e mëkateve.
Libri poetik “Kasaforta erotike” në brendësinë e saj të ambienton me përjetimin e poetikës, njëkohësisht i ofron lexuesit lirikën e dashurisë, të shtruar në qasje më afirmative, ajo të dikton me ngrohësi e përjetim të latuar përmes fjalës artistike me zgjedhjen e dëshirueshme brenda tërësisë poetike apo ,siç janë vargjet në poezinë” Le bie sërish Troja”ꓽ
Afrodita hyjnore
më pëshpëriti në vesh
fatin gjete
nuk e kisha parë veten asnjëherë
të lumturohem asisoj
tash vetëm më duhet
një dozë e vogël magjie
të t`bëj; për vete
se imja do t`jesh.
edhe po që se do t` plasë lufta
e të bie sërish Troja.
Fq.60.
E po ku ka dashuri më të madhe se sakrifica edhe për Trojën,.Pra, autori i këndoi jetës dhe dashurisë në ndërlidhje të kohëve, duke i dhënë idejshmërinë përmes imagjinatës krijuese , në reflektim të vlerës estetike të qëndrueshme brenda tërësisë së librit.
Sherafedin Kadriu: ” KUR VDESIN NGJYRAT
Është vepra e parë poetike e këtij shkrimtari , ani pse ai ka botuar edhe vepra tjera në fushën e studimeve letrare dhe ato arkeologjike e të trashëgimisë kulturore.
Në këtë vepër arti, jeta kanë shkrirë të përbotshmen ekzistuese përmes imagjinatës krijuese.
Vëllimi poetik, ” Kur ngjyrat vdesin”, ka shkrirë një botë të veçantë artistike, e cila ka të ngjeshura brenda poezive përjetimin përtej të sotmes. Kurse, diskursi artistik në poezinë e Sherafedin Kadriut, është reflektim i botës së trazuar, e cila gërvishë thesarin artistik në kërkim të hapërimeve të njeriut, sa artikulues, po aq edhe kureshtar. Këto kërkesa janë vetë bota shpirtërore e njeriut kërkues, për të shpalosur botën e pathënë. Poezia është vetë shpirti brendshëm i poetit, kur nuhatja të jep dedikimin e pa njohur, e që ai dedikim zhvesh, ëndrrën për të zbuluar të mahnitshmen botë imagjinative. Në këto kondita: sa reale, sa konfrontuese, sa absurde, sa sporadike, vijnë me zgjedhjen e zhveshjen e ngjyrave të stinëve tona.
Sherafedin Kadriu, brenda vargjeve poetike ka artikuluar botën reale dhe botën konformiste nëpër krajatat e kohëve. Pamjet brenda shpirtit të ofrojnë botën në reflektim të tyre, si pasqyrim i kohëve që krijon jeta e absurdit nëpër valët e ngritjeve e zbritjeve të tonit shoqëror..
Poezia e këtij poeti të ofron vështrimin e zgjedhjes, përjetimit artistik në bashkëveprim me peshoren e zemrës. Trajtueshmëria poetike brenda tërësisë së shtjelluar nuk imponon diktatin, ajo të krijon ndjeshmërinë e të nesërmes, sipas ngjyrave të dukshme në pikturim të jetës. Gjithnjë, duke i lidhur ngjarjet dhe përjetimet në harmonizim te strukturuar, si dhe për t`i dhënë koloritin poetik ngjyrave, të cilat të japin portretizimin e skalitur në figurat metaforike brenda tekstit në realizim të mesazhit .
Titulli i librit “Kur vdesin ngjyrat”, në realitet është metafora e jetës përmes ngjyrave, të cilat komunikojnë me vetë njeriun. Poeti komunikon me koloritin e ngjyrave që absorbojnë brenda tekstit idejshmërinë në mbështetje të.moralit, si katarsisë i ngjarjeve e njerëzve që kanë kaluar nëpër periudha të ndryshme kohore,e të cilat kanë rrjedhën e lirë të tyre në vargje, si komunikim dhe si protestë, e dashuri për njeriun. Nëpër këto gjerësi të intonimit poetik poezia e Sherafedinit ka ndërlidhur subjektin lirik në modifikim të fjalës sa më përfaqësuese në fuqizim të tërësisë poetike.
Poezia e Sherafedinit ka shpalosje të botës shpirtërore, në disa poezi ato dialogojnë bukur dhe shënojnë vlerën e fjalën në identifikim të krijimit artistik, dhe njëkohësisht ato pasqyrojnë në brendësi të identitetit vlerësues në ruajtje të kujtesës për sot e për nesër.
Pra, poezia si refleksion vëhet në mision të mesazhit, duke e dhënë shfaqjen e diskursit në artikulim të arritshëm, e në portretizim të vlerës artistike në ide sa më origjinale brenda tërësisë poetike.
Sabit Rrustemi: “SHPRUSH NËPËR DEJ”,
është libri më i ri i botuar nga Sabit Rrustemi, në botim të Shtëpisë Botuese “Rozafa”. Libri brenda këtij vëllimi poetik ka shtirje në rrafshin e ruajtjes së kontinuitetit artistik, duke krijuar dhe ruajtur edhe me tej pavarësinë poetike nga libri në libër.
Poezia e skalitur në origjinalitet parashtron integrimin e njeriut nëpër horizontet ndriçuese. Si të tilla, ato vijnë në konsolidim të rrethit tematik dhe njëkohësisht të ofrojnë mundësinë e zgjedhjes së varianteve, të cilat komunikojnë me pozicionin e përspektivës në pritje. Lirikat e këtij vëllimi shpalosin të gjitha nyjet e dashurisë, brenda qenies njerëzore, si vallëzim dhe adhurim në kërkim e realizim të një ëndrre që shprush zjarrin e brendshëm .
Artikulimet fjalëformuese në poezinë e këtij vëllimi shfaqen si rigat e shiut, që mbushin liqenin deri në buzëmbushje të plotë, kurse ngrohtësia ka për synim kthjelltësinë e flladitjes nga mbrëmja deri në lindjen e rrezeve të para të diellit. Këto shenja janë vetë preokupimi i një dashurie në pritje të kozmosit, me veçanti të ekzemplarit sa më origjinal, e në përtritje të shtrirjes poetike brenda tërësisë së librit.
Estetika poetike në poezinë e Sabit Rrustemit ka krijuar lirinë e shtrirjes nga fillimet e saj ,duke brumosur idejshmërinë në harmonizim të librave nga njëra në tjetrën. Ato në realitet janë vetë bota kërkimtare e tij, të cilat lidhin imazhet dhe kërkesat e ndërthurjeve sa më bashkëkohore.
Poezia dhe dashuria janë portretizimet më të konrizuara breda lirikës së këtij vëllimi, në kërkim e zbërthim të një ëndrre mes dritës dhe eklipsit të një nate me ndriçim e hënës së plotë, ku kjo pritje ka të shtresuara zjarrminë e stuhinë zhuritëse në premtimin pohues të erosit.
Në këto kondita poezia e Rrustemit i jep jetëgjatësi fjalës si magji dhe shprish diktatet e imponuara. Ajo vlon nga brenda për t`i thënë se ëndrra mund vetminë.
Në poezinë e këtij vëllimi, poeti, portën dhe dritaren e pritjes e ka lënë të hapur në të gjitha mundësitë për ardhje të muzës poetike, ajo pritje është vetëflijimi për dashurinë. Kështu, trokitja për të pushtuar territorin e një statuje të ngrirë, vjen me lirinë e shpirtit që mund të gjitha pengesat shkaktare në udhëtimin e një dashurie të ringjallur.
Libri poetik “Prush nëpër dej”, me katër njësitë letrare, si një katrenë poetike, është vetë jeta e njeriut nëpër shtegtimet e të gjitha varianteve të saja.Nga këto shtrirje kohësh, edhe ky vëllim poetik , fisnikëron botën kërkimtare në ruajtje të dashurisë, si realitet dhe si referencë përtej të sotmes kah bota e të ardhmes, sepse vetëm e bukura në art ka arritjen në stacionin e mirëfilltë të botës njerëzore, në reflektim e gjakim për të mundur lodhjen e ditëve të mundimshme.
Din Mehmeti: ”PSHERËTIMA DJEGAGURË”,
si poezi zgjedhura nga opusi krijues i Din Mehmetit nga ana e prof..dr. Anton N. Berishës, vjen si përkushtim e realizim për të komunikuar me botën në tërësinë poetike të të gjitha krijimeve artistike të njërit nga emrat e shquar të poezisë bashkëkohëse shqipe gjatë gjysmës së dytë të shekullit njëzet dhe vitet e para të shekullit XXI.
Poezia e Din Mehmetit që nga fillimet e para ka përfaqësuar poezinë e lexueshme që nga viti 1961, kur botohet libri i parë i tij, ” Në krahët e shkrepave” për të vazhduar me pranueshmërinë e saj të vazhdueshme, ndër lexuesit e trojeve tona.
Zgjedhja e parë e poezive të Din Mehmetit u bë në botimin e vitit 1982 me titullin, “Zog i diellit” , me zgjedhje e parathënie të Dr. Ibrahim Rugovës, duke pasur pastaj në Tiranë në vitin 1985, me një tjetër përzgjedhje nga shkrimtari Fatos Arapi, dhe në vitin 2002 po në Tiranë, tash me një përzgjedhje nga vetë autori.
Konsideroj se përzgjedhjet poetike nga vetë autorët asnjëherë nuk mund të goditen në ato krijime të dalluara. Sidoqoftë vepra me tërësinë e saj krijon hapësirë e mundësi për të komunikuar me lexuesin në kërkim të vlerave të dëshiruara.
“Psherëtima djegagurë”, si përzgjedhja e katërt nga opusi krijues i Din Mehmetit, nën përkujdesjen e Dr. Anton N. Berishës, specifikon në zgjedhje pa ngjyrime e ndikime kohe, sepse kur vepra lexohet e rilexohet, dhe bëhet pjesë e pandashme për lexuesin sërish.
Përzgjedhësi dhe parathënësi Anton Nikë Berisha , me përvojën e deritashme në gjetjen dhe sistemimin e vlerave poetike të një autori, ka sjellur një libër më me shije e vlerë të qëndrueshme. Kjo mund të vërehet e përjetohet gjatë leximi dhe njohjes krahasimtare me botimet e mëparshme të krijimtarisë së këtij shkrimtari, duke konstatuar nga këndi vrojtues, ku shkruanꓽ
Natyrisht, në fillim kërkimi i poetit tonë në rrafshin e të shprehurit poetik është i përvujatur, por me fitimin e përvojës, me pasurimin e dijes për letërsinë, me ngritjen e vetdijësimit për rëndësinë e poezisë, me të cilën ai qe i lidhur të thuash gjatë gjithë jetës, të përligjur në disa përmbledhje, të shprehurit modern poetik bëhet thelbi i poezisë së tij. Në to ai ka përdorur një gjuhë figurative, një tekst poetik të ngritur e me forcë komunikuese dhe ndikuese të madhe. Kjo e përafron me poezinë moderne në letërsinë tonë dhe me poezinë moderne në Evropë dhe më gjerëꓽ
Kjo përzgjedhje poetike nga Dr. Anton N. Berisha, vjen si vlerë dhe testament poetik i dallueshmërisë estetike nga tërësia poetike e Din Mehmetit. Poezitë brenda këtij vëllimi, të ofrojnë komunikimin, vlerësimin e artit të shkruar brenda gjysmë shekulli. Arti është mjeti më i fuqishëm që ka ruajtur e ruan kontekstet kohore të shkrimit dhe ngjarjeve shoqërore nëpër ngritjet e vetëdijësimit krijues e kombëtar.
3.
Brenda këtij viti në kuadër të Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu” u ribotua për të pestën herë brenda 11 viteve, vepra poetike e Anton Nikë Berishës, “Prushi i bukurisë”, falë një inetersimi të vetë lexuesit po edhe të kritikës letrare në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar.
Kjo vepër konsiderohet perlë poetike e tkëtij shkrimtari dhe studiuesi të rryer të letërsisë sonë e asaj të huaj. Brenda vargjeve të kësaj vepreje poetike është skalitur bukuria e jetës, si dashuri e metaforë për të shuar etjen në gjakim të prekjes së ëndrrës, e cila gjithnjë është në kërkim të parafytyrimit të lirisë shpirtërore. Në realitet dashuria në kërkim dhe identifikim sa më të faktorizuar, prekë jetën deri aty ku nuk arrihet, sepse vetë qenia njerëzore është në shtegtim të kërkesave e kënaqësive si udhërrëfim për të tjerët.
Ribotimi i pestë i librit ka ruajtur tërësinë poetike brenda vargjeve, të cilat komunikojnë po me të njejtën frymë shkrimore.
Nga e gjithë kjo që u tha, “Prushi i bukurisë”, është vetë fjala dhe vetë ëndrra e njeriut që rrjedh pandalshëm në korpusin e derivateve sa më të cilësuara. Po, është dhe brumosja e përkushtimi për të mos u ndalur kurrë në vlerat sa më të spikatura për të ndërtuar e ngritur rolin e mëvetësishëm artistik në filozofinë e përbotshme dhe në ruajtje të vlerës së artit letrar, si testament i dashurisë për të mundshmen, që nga lashtësitë e deri në ditë tona.
4
Ndër këto botime të Ars Clubit “Beqir Musliu”, ajo që ka sjellur njohje të reja padyshim se është edhe botimi i librit “Yllësi poetike- Njëzet poetë nobelistë ,në përzgjedhjen dhe përkthikimin e Anton Paplekës, kurse parathënien e këtij botimi e shkroi Dr. Anton Nikë Berisha.”
Libri në përmbajtje të saj ka zgjedhjen e 20 poetëve nobelistë, të cilët i takojnë një brezi të ndryshëm kohësh dhe vendesh. Brenda këtij libri janë përfshirë për secilin poetë nga dhjetë poezi. Kuptohet kjo përzgjedhje i ofron lexuesit tonë, vlera të dalluara. Ato komunikojnë me ngjyrimet e disa kulturave të përbotshme. Në këto konstelacione shkrimesh, të autorëve të ndryshëm, lexuesi i vëmendshëm ka mundësi të përfitojë njohuri të dalluara poetike, të cilat kanë gdhendur fjalën nëpër kohë, si përshkrim dhe determinim të botëkuptimit njerëzor dhe artistik. Poetët e përfshirë në këtë vepër, specifikojnë në shkrimet e tyre karakteristikat më kulmore të kohëve, ata me depërtimet e ruajtjen e ngjarjeve kanë shkrirë botën filozofike dhe shkrimore në kulturën të cilën i takojnë ata. Në realitet, lexuesi shqiptarë ka mundësi të shijoj vlera të mirëfillta të fjalës së bukur artistike.
Antologjik poetike, “YLLËSI POETIKE, me njëzet poetë nobelistë”, vjen si rezultat i njohjeve e hulumtimeve dalluese, estetike në shndritje të një kulture në rrezatim e përhapje edhe te kulturat tjera.
Në këtë vepër antologjike janë përmbledhur emrat e 20 penave të vlerësur me çmimin më të lartë botëror për letërsi.
Arti i këtyre 20 nobelistëve, përmes poezisë, vjen nga 12 shtete botërore, të cilët kanë shkruar në mënyra të ndryshme dhe bashkimi i tyre në këtë vepër është ndriçim e artikulim i fuqishëm i vlerave estetike në poezi.
Në këtë vepër janë paraqitur me nga dy nobelistë, mes viteve 1901 – 2020, këto shtete: Franca Irlanda, Spanja, Suedia, Italia dhe Greqia.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fjala vjen, janë përfaqësuar me tr nobelistë. Dhe, me nga një çmim nobeli janë përfaqësuarꓽ Belgjika, Kili, Çekia, Meksika dhe Polonia.
Poezitë e përmbledhura në këtë antologji, janë sa të nevojshme, po aq janë edhe njohje dhe model krahasimtar i poezisë moderne botërore. Shtrirja kohore e këtyre poezive ka një një jetëgjatësi krijuese njëqindvjeçare
Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, me botimin e kësaj vepre ka dëshmuar se është në kërkim të vlerave të përbotshme në njohje e lexim sa më të afërt për lexuesin e sotëm
Gjilan ,më 18 tetor 2025
