Në pesë vitet e fundit nga SC Gjilani u larguan gjashtë kryetrajnerë
Trajnerët gjithmonë i kanë të gatshme rrobat në valixhe dhe atyre kurrë nuk iu dihet qëndrimi në një klub. Në ekipet e mëdha bëhen projekte, plane afatmesme e afatgjata se ku synohet të arrihet pas një a më shumë vitesh, por ndryshe ndodh në Kosovë, ku “udhëtar me valixhe” mund të jesh në çdo kohë, shkruan kryelajmi.com
Shkruan: Enver Sadiku
Zekirija Ramadani kryetrajneri i SC Gjilani që u largua së fundi nga klubi për të bërë karrierë në Arabinë Saudite nuk bënë përjashtim sa u përket largimeve nga klubi, ngase vetëm në pesë vitet e fundit nga SC Gjilani u larguan gjashtë kryetrajnerë, pa përmendur këtu disa nga trajnerët e Gjilanit e që ishin të përkohshëm.
Nuk i kishte punët mirë me Skifterat dha dorëheqje Arbnor Morina
Më 10 prill 2018 Arbnor Morina, kryetrajner i Gjilanit ka dhënë dorëheqje. Që prej humbjes në kupë nga Vushtrria, Arbnor Morina ishte përballë me kërkesën e Klubit të Tifozëve “Skifterët”, të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e tij, gjë të cilën përkundër kërkesës së vazhdueshme Morina nuk e kishte bërë.
Mirëpo kishte ardhur dita Morina ka dhënë dorëheqje, duke theksuar se një gjë të tillë po e bënë me qëllim që të ruhet stabiliteti i skuadrës dhe harmonia.
Ky kishte qenë njoftimi i plotë i Arbnor Morinës:
Të nderuar,
Për shkak të situatës të fundit të krijuar në klubin SC. “Gjilani”, duke dashur që skuadrës t’i ruaj stabilitetin dhe harmoninë, te cilën e kemi krijuar me shumë mund e punë, nga sot jam dorëhequr nga posti i kryetrajnerit
Një falënderim i veçante shkon për të gjitha familjet Gjilanase që edhe në këtë situate, më kanë kontaktuar, e motivuar për punë.
Përherë mirënjohës e falënderues ndaj kryetarit Florim Zuka e drejtorit sportiv Naser Ajeti, të cilët gjithmonë më qëndruan krah e edhe sot shprehën përkrahjen dhe vlersuan lartë punën time.
Faleminderit shtabit teknik Albanit e Afrimit, ekonomit dhe terapeutëve të klubit që ishin gjithmonë të gatshëm që me përpikmëri të kryenin detyrat e qe ishin krahu im i djathtë për dy vite pune.
Faleminderit djelmoshave futbollistë që nuk e kursyen asnjëherë as atomin e fundit në lojë.
Nga Gjilani, po kthehem me një bagazh miqsh të rinj, familjen Zuka dhe te tjerët, kështu duke e cilësuar veten serish si një ndër njerëzit më të pasur falë miqve.
Me bindje të thellë them se SC.Gjilani është në rrugën e duhur për t’u bërë klub i madh, ndonëse kjo shumë kujt po i pengon.
Me shumë respekt,
Arbnori
Gjilanit nuk po i ecte, u ndërpre bashkëpunimin me trajnerin Sadat Pajaziti
Më 20 shkurt 2019 me marrëveshje të dyanëshme skuadra e Gjilanit ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin Sadat Pajaziti. Klubi Futbollistik SC Gjilani, e falënderoi Pajazitin për kontributin e dhënë dhe i uron suksese në vazhdimin e karrierës së tij menagjeriale. Në fund të atij kampionati, SC Gjilani shpëtoi prej rënies nga liga vetëm në ndeshjen e barazhit.
U humb kryendeshja me Dritën, Gentjan Mezani ofroi dorëheqjen
Më 30 nëntor 2020 nga SC Gjilani përmes një komunikate zyrtare, SC Gjilani njoftoi se dorëheqje ofroi nga klubi, kryetrajneri nga Shqipëria, Gentian Mezani. Në komunikatë u tha se pas ndeshjes derbi të zhvilluar ndaj Dritës, kryesia e klubit mbajti takim së bashku edhe me trajnerin Gentian Mezani, ku u analizua rrjedha e kampionatit.
“Pas insistimit të trajnerit kryesia e klubit pranoi dorëheqjen e ofruar nga Gentian Mezani, i cili edhe në periudhën kur mungoi për shkaqe familjare, kishte ofruar dorëheqje por që nuk ishte pranuar.”
SC Gjilani e falënderoi Gentijan Mezanin për kontributin që kishte dhënë, por në fakt ishte ndeshja ndaj Dritës, e cila po rridhte mirë për ekipin e Gjilanit dhe një minut pa përfunduar ajo Gjilani ishte në epërsi me 2:1, kurse për dy minuta në vijim rezultati ndryshoi në 2:3 dhe për këtë humbje krejt barra ra mbi kryetrajnerin, Gentijan Mezani.
U humb ndeshja për Kupë nga Dukagjini dha dorëheqje Bylbyl Sokoli
Më 12 mars 2021 nga SC Gjilani u dha komunikata se Bylbyl Sokoli, nuk do ta udhëheq skuadrën, ngase ai dha dorëheqje nga posti numrit një të shtabit teknik në skuadër.
Mbyllja e bashkëpunimit me trajnerin erdhi pas rezultateve jo të mira pas fillimit të pjesës pranverore në kupë dhe kampionat, me ç’rast dorëheqeja nga Bylbyl Sokoli, u aprovua nga klubi, duke e liruar atë nga detyra e trajnerit.
Në fakt, Bylbyl Sokoli kishte ardhur me qëllim që së paku të kap Evropën, ndërkohë së paku duke e fituar Kupën e Kosovës në futboll, por dëshprimi ishte i madh kur Gjilani u eliminua pikërisht nga kupa edhe atë nga një skuadër që luante në rang më të ultë të garave, KF Dukagjini.
U humbën shpresat për titull, u largua Ismet Munishi
Më 25 prill 2022 nga SC Gjilani u largua Ismet Munishi, kryetrajner, i cili kishte arritur në Gjilan me një qëllim të vetëm, fitimin e titullit. Kur u shua ky objektiv, pasoi edhe largimi i tij nga SC Gjilani.
“Sport Club “Gjilani” njofton se ka mbyllur bashkëpunimin me shefin e shtabit teknik Ismet Munishi.
Klubi e falenderon Munishin për kontributin e dhënë duke i uruar shumë suksese në karrierën e tij sportive”, u tha në komunikatën zyrtare të SC Gjilani.
E la SC Gjilanin për të bërë karrierë në Arabinë Saudite
Zekirija Ramadani, kryetrajner i SC Gjilanit është trajneri i fundit që është larguar nga SC Gjilani, bile ai gjatë kohës sa ishte shef i shtabit teknik te Gjilani është larguar dy herë. Herën e parë Ramadani kishte paralajmëruar dorëheqjen kur klubi po përballej me një krizë të madhe finaciare, pas largimit të kryetarit të klubit Florim Zuka, por me rikthimin e kryetarit të klubit edhe Ramadani u bë pishman dhe u rikthye, por vetëm deri në fund të kampioantit.
Ramadani është ndër trajnerët e rrallë që kohëve të fundit është larguar me nismën e tij, ngase ai me Gjilanin ia kishte dalë të sigurojë vendin e tretë që e kishte kuptimin pjesëmarrje në garat e Europa Conference League, sikurse që me ekipin kuq e bardh ai ia kishte dalë të luajë në finalen e Kupës së Kosovës.
Mirëpo si duket një ofertë e majme nga Arabia Saudite e kishte bërë atë që të ndërrojë mendje, kështu që më në fund edhe klubi SC Gjilani doli me një komunikatë zyrtare kur më 21 qershor 2023 njoftoi se ka mbyllur në mënyrë të dyanshme bashkëpunimin me shefin e shtabit teknik Zekirija Ramadani.
“Klubi e ka marrë në konsideratë kërkesën e Ramadanit dhe ka vendosur që të ndalojë mardhënien kontraktuale të punës, e cila ishte e nënshkruar vitin e kaluar.
Ramadani drejtoi klubin në 44 ndeshje zyrtare, duke përfshirë edhe garat evropiane në edicionin e kaluar për të regjistruar 19 fitore, 15 barazime dhe 10 disfata.
Klubi e falenderon Ramadanin për kontributin e dhënë dhe i uron shumë suksese në karrierën e tij sportive.
Ekipi do të drejtohet nga trajneri Alban Hyseni deri në marrjen e një vendimi të ardhshëm”, është thënë në SC Gjilani.