Ministër Sveçla dënon videon që e bëri një polic i Kosovës me të arrestuarin serb
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë një status në profilin e tij në Facebook në lidhje me raportimet se po keqtrajtohen të burgosurit.
Sveçla ka deklaruar se Republika e Kosovës “vlerësohet nga të gjithë si shteti më demokratik në Ballkan” që ruan dhe promovon të drejtat e njeriut.
“Çdo i burgosur ka të drejtat e tij të garantuara me ligjet tona e me ato ndërkombëtare, teksa për veprat dhe shkeljet ligjore ballafaqohet me drejtësinë. Ky për ne është një parim themelor i cili vlen ndaj të gjithëve dhe pa dallim etnie.” – ka shkruar ministri.
Ai thotë ta ketë parë videon ku duket një i arrestuar serb në pozitë denigruese derisa tregon që zyrtari policor që e ka inçizuar është suspenduar nga detyra.
“…inçizimi i të arrestuarit apo të burgosurit është absolutisht i papranueshëm dhe është i dënueshëm me të gjithë mekanizmat ligjorë në dispozicion.” – është shprehur Sveçla.