Marrëveshje mes Komunës së Kamenicës dhe Fondacionit Jeshil për menaxhimin e mbetjeve organike
Kryetari i Komunës së Kamenicës Kadri Rahimaj sot ka nënshkruar marrëveshje së bashku me z.Xhevdet Gegollaj, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Jeshil.
Kjo marrëveshje në qendër të saj ka projektin 26 mujor me titull “Menaxhimi Qarkor i Mbetjeve Organike në Kamenicë”, projekt ky që ka vlerën 700,000 eurosh.
Projekti në fjalë mbështetet nga qeveria sllovene dhe menaxhohet nga Qendra për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në Slloveni.
Kjo skemë kompostimi miqësore për mjedisin, e përqendruar karshi sektorit privat, do të mundësojë prodhimin e kompostit cilësor për gjelbërimin e qytetit duke devijuar në masë prej 5,700 tonësh të mbetjeve organike.
Skema parasheh rreth 100 përfitues—biznese gastronomike, prodhues hortikulturorë, shkolla dhe kopshte. Përveç asaj, ky projekt do të krijojë gjithashtu vende të reja pune dhe do të promovojë barazinë gjinore.