
Liverpooli fiton me spektakël ndaj Tottenhamit dhe shpallet kampion i Ligës Premier
Liverpooli ka shënuar një fitore të madhe me rezultat 5-1 në shtëpi ndaj Tottenhamit në kuadër të javës së 32-të në Ligën Premier, duke u shpallur kështu kampion i Anglisë.

Të parët që kaluan në epërsi ishin mysafirët të cilët realizuan për rezultatin 1-0 me anë të Dominic Solankes (12’).
Kjo ishte e tëra çfarë pamë nga Tottenhami në këtë sfidë, pasi në vazhdim ‘Të Kuqtë’ dhuruan spektakël për shikuesit në tribuna, duke realizuar plotë pesë gola.
Në minutën e 19-të Liverpooli barazoi shifrat duke realizuar për 1-1 me anë të Luis Diaz pas asistimit nga Dominik Szoboszlai.
— Liverpool FC (@LFC) April 27, 2025
Nuk kaloi shumë kohë dhe vendasit shënuan sërish, këtë herë përmes Alex Mac Allister (24’) që shënoi një gol fantastik për rezultatin 2-1.
Saktësisht vetëm dhjetë minuta më vonë, Cody Gakpo (34’) ishte në vendin e duhur për ta çuar topin në rrjetë për 3-1.
Mohamed Salah u përkujdes që të shënontë për 4-1 në minutën e 63-të pas asistimit nga Szoboszlai, teksa për rezultatin përfundimtar të takimit Destiny Udogie (69’) i mysafirëve realizoi autogol për 5-1.
Kështu pas kësaj fitore Liverpooli automatikisht është shpallur kampion i Ligës Premier, teksa kanë mbetur edhe katër xhiro për t’u luajtur.
