Kryetari Hyseni viziton SC Gjilani në Antalya Camp
Kryetari i Komunës së Gjilanit, ztr. Alban Hyseni ka vizituar ekipin në Antalya të Turqisë, kampin ku futbollistët e Sport Club Gjilani po përgatiten për pjesën pranverore të kampionatit.
I pari i qytetit ka takuar futbollistët dhe stafin duke ndarë momentet më të mira me ta. Hyseni përveçse ka premtuar mbështetje për klubet e qytetit dhe për Sport Club Gjilanin gjithashtu, ai është zotuar që do të jetë afër grupit në çdo sfidë.
Drejtori sportiv Ertan Demiri dhe menaxheri i klubit Drilon Sylejmani e kanë falenderuar Hysenin edhe për subvencionin e ndarë për këtë fazë përgatitore, pasi që kanë theksuar se humbjet e mëdha financiare për mos zhvillimin e ndeshjeve në stadiumin kryesor të qytetit kanë ndikuar jashtë mase.
Në emër të futbollistëve foli kapiteni i skuadrës Edison Kqiku, i cili e falenderoi kryetarin Hyseni për vizitën në radhë të parë dhe për mbështetjen e dhënë për klubin. Kqiku, së bashku me futbollistët e tjerë të skuadrës dhuruan një fanellë për kryetarin Hyseni dhe ftuan të jetë prezent në ndeshjet më të rëndësishme të këtij sezoni.
Hyseni vizitoi gjithashtu pjesën tjetër të skuadrës në seancën e fundit stërvitore të cilën “kuqebardhët” e realizuan para se të niseshin për në Kosovë.