KBI- Gjilan: Filluan Garat Regjionale të Kur’anit në Gjilan
Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan, në sallën e Teatrit të Qytetit në Gjilan, sot hapi zyrtarisht Garat Regjionale të Kur’anit, ku po marrin pjesë 30 garues dhe garuese nga rajoni.
Manifestimi filloi me një asherë kuranore të kënduar nga Hfz. Orhan Ademi, duke i dhënë aktivitetit një atmosferë të veçantë shpirtërore.

Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, të pranishmit i përshëndeti Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, i cili mbajti një fjalë rasti duke vlerësuar rëndësinë e organizimit të garave të Kur’anit dhe rolin e tyre në promovimin e mësimit dhe respektimit të Librit të Shenjtë.
Më pas, Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan mbajti fjalën e tij përshëndetëse dhe shpalli hapjen zyrtare të garave regjionale të Kur’anit.

Procesi i vlerësimit të garuesve po zhvillohet nga një komision profesional prej gjashtë anëtarësh, i përbërë nga:
• Kryeimami Vedat ef. Sahiti
• Prof. Mustaf Hajdari
• Dr. Fidan Xhelili
• Dr. Bali Sadiku
• Hfz. Orhan Ademi
• Hfz. Shaban Murati
Garuesit po konkurrojnë në katër kategori, sipas numrit të pjesëve (xhuzëve) të Kur’anit që kanë mësuar përmendësh, ashtu siç është përcaktuar edhe në programin zyrtar të garave.
Garat do të vazhdojnë edhe nesër nga ora 13:00, ndërsa në ora 15:30 do të mbahet manifestimi përmbyllës dhe ceremonia e ndarjes së shpërblimeve për finalistët.
Në këtë manifestim përmbyllës do të marrin pjesë edhe mysafirë të veçantë:
• Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, i cili do të mbajë një ligjëratë rasti,
• si dhe lexuesi i Kur’anit me renome ndërkombëtare, Xhelal Kaloshi, i cili do të sjellë një interpretim të veçantë të Kur’anit.
Ky aktivitet përfaqëson një moment të rëndësishëm në jetën fetare dhe kulturore të rajonit, duke nxitur të rinjtë drejt mësimit, ruajtjes dhe respektimit të Kur’anit Famëlartë.
