Incident me armë zjarri në rrugën Gjilan–Kamenicë, një person dërgohet në spital
Një incident me armë zjarri ka ndodhur rreth orës 18:00 në rrugën Gjilan–Kamenicë, në afërsi të një pike të karburantit.
Sipas Policisë së Kosovës, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku gjatë ekzaminimit janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me rastin. Bazuar në informacionet fillestare, dyshohet se në incident kanë qenë të përfshira dy automjete në lëvizje.
Si pasojë e të shtënave, një person ka kërkuar ndihmë mjekësore dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Gjilanit. Gjendja e tij shëndetësore po trajtohet nga autoritetet përkatëse.
Lidhur me rastin, zëdhënësi i Policisë Rajonale në Gjilan, Ismet Hashani, ka deklaruar për TV Gjilani se Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka nisur hetimet dhe është në kërkim të personave të dyshuar të përfshirë në këtë incident.
“Rreth orës 18:00 kemi pranuar informacion për një incident me armë zjarri të ndodhur në rrugën Gjilan–Kamenicë, në afërsi të një pike të karburantit. Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku gjatë ekzaminimit janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me rastin. Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se në incident kanë qenë të përfshira dy automjete në lëvizje.
Si pasojë e rastit, një person ka kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Gjilanit dhe po trajtohet nga autoritetet shëndetësore. Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe është në kërkim të personave të dyshuar lidhur me këtë rast.”
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë duke vazhduar.
