Hapet ekspozita “E vërteta, kujtesa, drejtësia”, Osmani: Nuk do të lejojmë që krimet të harrohen dhe gjenocidi të mohohet
Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, është hapur ekspozita “E vërteta, kujtesa, drejtësia”, kushtuar dokumentimit të krimeve të luftës dhe kërkimit të drejtësisë për viktimat e luftës.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se krimet e kryera gjatë luftës kanë lënë plagë të pashërueshme për mijëra familje në vend, duke theksuar se kërkimi i drejtësisë mbetet përgjegjësi institucionale dhe morale.
“Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit e gjenocidi i ushtruar nga regjimi i Millosheviqit shkaktuan dhimbje e cila nuk do të shuhet asnjëherë. Mijëra të vrarë, përfshirë shumë fëmijë, mijëra gra e burra të dhunuar, mijëra persona të zhdukur me dhunë të cilët ende mungojnë në familjet e tyre. Dhimbja e tyre nuk njeh kohë, ajo është një plagë e hapur, plagë e gjallë, plagë e cila kullon çdo ditë dhe e cila kërkon drejtësi”, tha ajo.
Ajo shtoi se angazhimi institucional për të vërtetën dhe kujtesën është i pandalshëm.
Duke e cilësuar ekspozitën si dëshmi të qëndresës, Osmani tha se të mbijetuarit, me plagë fizike e shpirtërore, janë simbol i dinjitetit njerëzor dhe zë i së vërtetës që nuk do të heshtet.
“Nuk do të lejojmë që e vërteta të shtrembërohet, nuk do të lejojmë që kujtesa të shuhet; do të përkujtojmë fëmijët e vrarë, nënat e baballarët që nuk u kthyen kurrë, familjet që humbën gjithçka, ata që u zhdukën me dhunë. Për secilin prej tyre, për gratë që përjetuan tmerrin e dhunimit në kohë lufte dhe çdo viktimë të luftës. Secilin pa dallim, për secilën prej tyre kërkojmë drejtësi. Të mbijetuarit që jetojnë sot me plagë fizike, por mbi të gjitha plagë shpirtërore, janë personifikim i rezistencës dhe dinjitetit njerëzor; janë zëri i së vërtetës që asnjëherë nuk do të heshtet. Kosova nuk do të heqë dorë, nuk do të lejojmë që krimet të harrohen, nuk do të lejojmë që gjenocidi të mohohet. Për secilin person të zhdukur, për secilin fëmijë të vrarë, për secilën viktimë të dhunës seksuale do të flasim këtu dhe në çdo vend të botës; drejtësi do të kërkohet pa ndalur dhe e vërteta duhet të dëgjohet”, tha ajo.
Drejtori i Institutit për Krime të Luftës, Atdhe Hetemi, në fjalën e tij theksoi se ekspozita është më shumë sesa një paraqitje vizuale.
“Kjo ekspozitë nuk është vetëm paraqitje vizuale e së kaluarës sonë, por akt institucional i kërkesës për përgjegjësi dhe dëshmi e fuqishme se krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nuk harrohen, por vazhdojnë edhe pas më shumë se një çerekshekulli liri të jenë plagë të hapura që kërkojnë drejtësi. Pra, videot dhe fotomaterialet që shpalosen sot para jush nuk janë thjesht imazhe, janë zëra të ngrirë në kohë, janë jetë të ndërprera dhunshëm, familje të shkatërruara, fëmijë, gra, burra dhe të moshuar që u bënë target i një represioni sistematik dhe të organizuar nga regjimi serb”, tha ai.








