Fundjava me mot të vranët dhe reshje shiu, pritet edhe borë në viset malore
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se vikendi i parë i janarit do të karakterizohet me mot të vranët dhe reshje të herëpashershme.
Sipas parashikimit të IHMK-së, dita e shtunë do të jetë kryesisht me vranësira, ndërsa vende-vende priten riga shiu. Në zonat malore, vranësirat mund të shoqërohen me fjolla të dobëta bore. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 1 deri në 3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës pritet të arrijnë nga 4 deri në 6 gradë Celsius. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga veriperëndimi.
Edhe dita e diel parashikohet me mot kryesisht të vranët, me reshje të dobëta shiu në disa pjesë të vendit. Në viset e larta malore parashihet të ketë reshje të dobëta bore. Temperaturat minimale do të zbresin nga -1 deri në 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet 4 dhe 7 gradë Celsius. Era do të fryjë kryesisht nga jugperëndimi, me intensitet të lehtë deri mesatar.
