Formohet Lidhja e Bashkuar e Shkrimtarëve dhe e Artistëve ShqiptarëKryetar u zgjodh prof. dr. Mujë Buçpapaj
Marrëveshja u nënshkrua në Prishtinë mes Lidhjeve të Shqipërisë dhe Kosovës. Qendra do të jetë në Tiranë
PRISHTINË, 17 Tetor 2026 – Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve e Shqipërisë dhe Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës kanë nënshkruar sot në Prishtinë Marrëveshjen për themelimin e Lidhjes së Bashkuar të Shkrimtarëve dhe të Artistëve Shqiptarë – LBSHASH.



Kryesitë e të dyja institucioneve, të përfaqësuara nga kryetarët prof. dr. Mujë Buçpapaj dhe prof. dr. Shyqri Galica, miratuan këtë marrëveshje historike me qëllim institucionalizimin e bashkëpunimit ndërmjet krijuesve shqiptarë.

Sipas marrëveshjes, Lidhja e Bashkuar do të ketë qendrën në Tiranë dhe do të veprojë me vullnetin e lirë dhe të përbashkët për të “bashkërenduar veprimtaritë letrare dhe artistike në hapësirën shqiptare dhe për të forcuar praninë e kulturës shqiptare në komunikimin ndërkombëtar”.
Në mbledhjen themeluese u zgjodhën edhe drejtuesit e rinj.
Kryetar i LBSHASH u zgjodh prof. dr. Mujë Buçpapaj, kurse nënkryetar u zgjodh prof. dr. Shyqri Galica. Të dy nënshkruan marrëveshjen themeluese.
Lidhja parashikon që anëtarët e Kryesisë të zgjidhen nga trevat e tjera shqiptare dhe nga diaspora, në mënyrë që të përfaqësohet e gjithë hapësira shqiptare.
Në vijim të veprimtarive të saj, Lidhja e Bashkuar do të njoftojë edhe ministritë përkatëse të kulturës në Shqipëri, Kosovë dhe trevat të tjera.
Kjo nismë vlerësohet si një hap i rëndësishëm për unifikimin e skenës kulturore shqiptare dhe për promovimin e përbashkët të vlerave letrare dhe artistike kombëtare.
