Ekskluzive | Zjarr në market në Gjilan, rrezik i përgjithshëm dhe dëme rreth 200 mijë euro
Një incident serioz është raportuar paraditen e 19 dhjetorit 2025 në qytetin e Gjilanit, ku një zjarr brenda një marketi ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm dhe dëme të mëdha materiale.
Mësohet se të premten rreth orës 11:00, ankuesi H. S, menaxher i marketit “Meridian” në rrugën “15 Qershori”, ka raportuar se gjatë qëndrimit në market ka vërejtur tym brenda objektit, çka ka ngritur dyshimet për zjarr.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia, njësia e zjarrfikësve dhe eksperti i zjarrit, të cilët kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin dhe të parandalojnë përhapjen e mëtejme.
Sipas deklarimeve fillestare të ankuesit, dëmi i shkaktuar vlerësohet rreth 200 mijë euro, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori Kujdestar, me urdhër të të cilit rasti është iniciuar për hetime të mëtutjeshme, ndërsa shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta.
Hetimet janë në vazhdim.
