Viti: Rriten rastet e dhunës në familje, këtë vit janë raportuar 56 raste
Mekanizmi Koordinues Lokal për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore në Viti ka mbajtur mbledhjen e rregullt, ku në fokus të diskutimeve ishin rastet e raportuara gjatë këtij viti, sfidat në trajtimin e viktimave dhe nevoja për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucioneve.
Gjatë takimit, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cilësoi shqetësuese statistikat e rasteve të dhunës në familje, duke theksuar se kjo dukuri dhe dhuna në baza gjinore përbëjnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe një problem serioz shoqëror. Ai ritheksoi qëndrimin institucional për zero tolerancë ndaj çdo forme të dhunës.

Haliti përmendi edhe aktivitetet parandaluese të komunës, përfshirë ligjëratat vetëdijesuese në shkolla, të organizuara në bashkëpunim me Policinë, si dhe mbështetjen për viktimat përmes bashkëpunimit me Qendrën për Mbrojtjen e Grave “Liria”, ku ofrohen shërbime psikologjike, juridike dhe sociale.

Të dhënat e Policisë tregojnë për rritje të rasteve të raportuara. Zëvendëskomandanti i Policisë në Viti, toger Burim Musliu, bëri të ditur se deri më tani gjatë këtij viti janë evidentuar 56 raste të dhunës në familje, krahasuar me 46 raste të regjistruara gjatë vitit të kaluar. Ai prezantoi procedurat që ndiqen për trajtimin dhe mbrojtjen e viktimave, ndërsa kërkoi që takimet e Mekanizmit Koordinues të mbahen më shpesh, për të mundësuar koordinim dhe reagim më efikas institucional.

Ndërkaq, nga Qendra për Punë Sociale, Sylë Salihu raportoi për 44 raste të reja të evidentuara gjatë këtij viti, 14 raste të bartura nga vitet paraprake dhe 7 raste të përsëritura.
Një nga çështjet e diskutuara ishte edhe trajtimi i personave me çrregullime mendore, të cilët në raste të caktuara paraqesin sfida për institucionet përgjegjëse. Drejtoresha e Qendrës për Mbrojtjen e Grave “Liria”, Nazife Jonuzi, ngriti shqetësimin për mungesën e institucioneve të specializuara për trajtimin dhe strehimin e këtyre personave, duke theksuar nevojën për vlerësim profesional dhe trajtim adekuat.

Në diskutime morën pjesë edhe Gani Leci, mbrojtës i viktimave në kuadër të Prokurorisë, si dhe Ibadete Hyseni nga Zyra Komunale për Barazi Gjinore në Viti.
Në përfundim të mbledhjes, u theksua nevoja për krijimin e kapaciteteve të specializuara për trajtimin e personave me çrregullime mendore, përfshirë edhe ndërtimin e një spitali psikiatrik, duke pasur parasysh mungesën e hapësirave dhe kapaciteteve të mjaftueshme në repartet ekzistuese psikiatrike.
Pjesëmarrësit vlerësuan se koordinimi i vazhdueshëm ndërmjet institucioneve mbetet i rëndësishëm për parandalimin e dhunës në familje, mbrojtjen e viktimave dhe trajtimin më efektiv të rasteve të raportuara.
