DKA në Gjilan organizon tryezë diskutimi për parandalimin e dukurive negative në shkolla
Në Gjilan është organizuar një tryezë diskutimi kushtuar parandalimit të dukurive negative në mjediset shkollore, me theks të veçantë te përdorimi i drogave, trafikimi me qeniet njerëzore dhe mbrojtja e fëmijëve.
Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Misionin e OSBE-së në Kosovë, ka organizuar një tryezë diskutimi me temën “Parandalimi i dukurive negative, drogave, trafikimit me qeniet njerëzore dhe dukurive të tjera negative në mjediset shkollore”.

Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, përfshirë zyrtaren e lartë për mbrojtjen e shëndetit në shkolla, Leonora Shala, dhe zyrtaren e lartë për barazi gjinore, Azize Sekiraqa-Heta. Po ashtu, në tryezë kanë kontribuar përfaqësues të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Departamentit për Shërbime Sociale dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Policisë së Kosovës dhe organizatës joqeveritare “Labirinti”.

Gjatë diskutimeve dhe prezantimeve janë trajtuar çështje që ndërlidhen me parandalimin e dukurive negative, trafikimin me qeniet njerëzore, mbrojtjen e fëmijëve, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në adresimin e këtyre sfidave.
Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të DKA-së në Gjilan, tryeza ka për qëllim krijimin e një hapësire të përbashkët diskutimi dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve arsimore dhe mekanizmave përgjegjës, për identifikimin e sfidave, shkëmbimin e përvojave dhe shqyrtimin e masave konkrete për parandalimin e dukurive që cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve.
Faqja e DKA-së thekson se bashkëpunimi i vazhdueshëm institucional, vetëdijesimi dhe angazhimi i përbashkët janë të domosdoshëm për ndërtimin e mjediseve shkollore më të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe mbështetëse për të gjithë nxënësit.
