Bardh Frangu vjen në Gjilan për promovimin e krijimtarisë së tij letrare
Klubi Letrar “Beqir Musliu” organizon të shtunën një takim letrar me shkrimtarin, poetin dhe dramaturgun Bardh Frangu, një nga emrat e njohur të letërsisë shqipe.
Gjilan, 5 nëntor 2026 – Shkrimtari Bardh Frangu do të jetë mysafir i Klubit Letrar “Beqir Musliu” në Gjilan, në një takim letrar që do të mbahet të shtunën, më 7 nëntor, duke filluar nga ora 12:00, në Bibliotekën e Qytetit në Gjilan.
Lajmin e ka bërë të ditur Sabit Rrustemi, kryetar i Klubit Letrar “Beqir Musliu”, i cili ka ftuar dashamirët e letërsisë që të marrin pjesë në këtë aktivitet kushtuar krijimtarisë së autorit.


Bardh Frangu (1956), me një karrierë krijuese që shtrihet në afro pesë dekada, ka ndërtuar një opus të gjerë letrar, duke u shquar në poezi, prozë dhe dramaturgji. Ndër veprat e tij janë përmbledhja poetike “Ora e shtëpisë” (1989), romani “Kohë të kauçukta” (1993), “Fluturimi dhe rënia e Ben Balës” (2010), përmbledhja poetike “Laviret e duan atdheun më shumë” (2013), si dhe romani “Çelësi i zonjës Meri” (2019).
Kontributi i tij krijues përfshin edhe dramaturgjinë. Ndër tekstet e tij teatrale janë “Në sheshin e krenarisë”, i vlerësuar si teksti më i mirë në Festivalin Kombëtar të Teatrove në Ferizaj, më 2006, “Duke pritur trenat”, i inskenuar nga Teatri i Qytetit “Adriana Abdullahu” në Ferizaj, më 2016, si dhe “Udhëtim në përjetësi”, i vënë në skenë nga Teatri “Istref Begolli” i Pejës, më 2017.
Përveç krijimtarisë letrare, Frangu ka botuar edhe tregime, shkrime publicistike e trajtesa letrare, ndërsa gjatë karrierës është vlerësuar në disa konkurse letrare në Kosovë dhe jashtë saj. Për veprën e tij kanë shkruar studiues dhe kritikë të njohur të letërsisë, ndër ta Ramadan Musliu, Joakim Langsh, Adil Olluri, Afrim Demiri, Sarë Gjergji dhe Timo Mërkuri.
Bardh Frangu ka ushtruar për shumë vite edhe profesionin e mësimdhënësit dhe të gazetarit. Aktualisht jeton në Ferizaj, ku vazhdon veprimtarinë e tij krijuese.
Takimi në Gjilan pritet të jetë një mundësi për njohjen më të afërt me krijimtarinë e autorit, për të diskutuar rrugëtimin e tij letrar dhe për të bashkuar lexuesit e dashamirët e librit rreth një prej autorëve me veprimtari të gjatë në letërsinë shqipe.
Takimi mbahet të shtunën, më 7 nëntor 2026, në orën 12:00, në Bibliotekën e Qytetit në Gjilan.
