Filharmonia e Kosovës përmbyll festivalin ReMusica me një koncert të veçantë
Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit italian Marco Crispo dhe me kitaristin slloven Mak Grgić si solist, ka shënuar përmbylljen e edicionit të sivjetmë të festivalit ReMusica. Koncerti solli në skenë vepra të kompozitorëve të njohur botërorë, përfshirë edhe premierën evropiane të koncertit për kitarë dhe orkestër “Borders” të Michael Abelsit.
Një program i pasur muzikor, me vepra të periudhave dhe karaktereve të ndryshme artistike, ka shënuar mbrëmjen përmbyllëse të festivalit ReMusica, në të cilën para publikut u prezantua Orkestra e Filharmonisë së Kosovës.

Nën dirigjimin e italianit Marco Crispo dhe me pjesëmarrjen e kitaristit të mirënjohur slloven Mak Grgić, koncerti ofroi një program që ndërthurte repertorin klasik me krijimtarinë bashkëkohore muzikore.

Mbrëmja nisi me “Uverturën tragjike” të kompozitorit Johannes Brahms, për të vazhduar me koncertin për kitarë dhe orkestër “Borders” të kompozitorit amerikan Michael Abels, i cili u prezantua për herë të parë në Evropë. Programi u përmbyll me “Simfoninë nr. 8” të kompozitorit çek Antonín Dvořák.
Përmes këtij koncerti u shënua jo vetëm përfundimi i edicionit të sivjetmë të ReMusica-s, por edhe vazhdimësia e sezonit koncertor 2026/2027 të Filharmonisë së Kosovës, e cila ka paralajmëruar një program të ri për publikun gjatë muajve në vijim.
Në njoftimin e saj, Filharmonia e Kosovës ka falënderuar publikun për praninë dhe mbështetjen, ndërsa ka shprehur mirënjohje për artistët pjesëmarrës, duke vlerësuar interpretimin e tyre në këtë koncert përmbyllës.
Koncerti u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Kosovës dhe Ambasadës së Italisë në Prishtinë.
Ndërkaq, aktiviteti i radhës i Filharmonisë së Kosovës është paralajmëruar për 14 nëntor 2026, në orën 19:30, në Qendrën Bogdani Polis në Prishtinë. Koncerti do të drejtohet nga dirigjenti Toshio Yanagisawa, ndërsa si soliste do të paraqitet violinistja Julia Smirnova.
Foto: Arben Llapashtica
